Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve rrëzoi sot kërkesën e Partisë Demokratike për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve të pjesshme të 4 gushtit në Himarë, ku rezultoi fitues Vangjel Tavo i Partisë Socialiste.
Pas hapjes së 36 kutive të materialeve zgjedhore me kërkesën e PD-së, KAS u njoh me raportin e paraqitur, ku nuk janë evidentuar mospërputhje.
“Në përfundim të diskutimit dhe shqyrtimit të provave dhe çështjes në tërësi, KAS mbështeur në nenin 21 dhe 143 të Kodit Zgjedhor vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore numër 11, datë 9 gusht 2024 të subjektit zgjedhor koalicioni ‘Bashkë fitojmë'”, tha kreu i KAS, Koli Bele.
Po ashtu, KAS vendosi lënien në fuqi të vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë Himarë, në zgjedhjet e pjesshme të datës 4 gusht 2024.
“Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të KQZ-së. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor pranë Gjykatës Administrative të Apelit brenda 5 ditëve nga shpallja e tij”, theksoi Bele.
Nga hapja e kutive të materialeve zgjedhore rezultoi se janë vetëm 161 persona që janë paraqitur në qendrat e votimit dhe nuk janë lejuar të votojnë për shkak të skadencës së dokumenteve.
Më herët, përfaqësuesi i opozitës tha se janë rreth 26 % e votuesve me dokumente të skaduara që nuk u lejuan të votojnë, duke zhbërë kështu të drejtën e votës.
Sipas tij, janë të paktën 256 raste kur nga votues është rinovuar karta e identitetit në kohë rekord, 1 apo dy ditë para zgjedhjeve, aq sa nuk njiheshin nga sistemi PEI këto karta.
“Prodhimi i dokumenteve varet nga një kompani shtetërore. Ne i qëndrojmë indicies që 311 shtetas janë shtuar në Himarë, 90 shtetas të tjerë janë shtuar pas dekretimit të datës së zgjedhjeve, mbi 560 shtetasve iu mohua e drejta e votës. Kemi pasur zhvendosje të zgjedhësve nga një qendër në tjetrën, kemi 88 raste kur votuesit nuk janë identifikuar përmes shenjave”, tha përfaqësuesi i opozitës.
Sipas tij, të gjitha këto shkelje përbëjnë arsyet për shpalljen e pavlefshmërinë e zgjedhjeve në të gjithë qendrat e votimit në Bashkinë Himarë.
Ndërkohë përfaqësuesi i Partisë Socialiste tha se pavarësisht se nuk kishte asnjë bazë ligjore, KAS miratoi hapjen e kutive.
“Shumë mirë që u hapën kutitë, të paktën kështu mbyllet njëherë e mirë debati mbi Himarën. Nga hapja e kutive nuk kemi asnjë shkelje të evidentuar, qendër për qendër”, tha përfaqësuesi i PS-së./ata