Lëvizja Hamas hodhi poshtë ofertën e re për armëpushim që iu paraqit në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro, me arsyetimin se do të "bënte pushtimin izraelit të përhershëm".
Një zyrtar i lartë i Hamasit, duke folur për Anadolu-n, tregoi se Egjipti dhe Katari, vendet ndërmjetësuese, ia kanë përcjellë propozimin e ri të armëpushimit delegacionit të Hamasit në Kajro.
Duke theksuar se Hamasi është i përkushtuar ndaj propozimit për armëpushim të shpallur nga presidenti amerikan Joe Biden më 2 korrik dhe i pranuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), zyrtari i Hamasit tha: "Hamasi konfirmoi gatishmërinë e tij për të zbatuar çështjet për të cilat është rënë dakord (më 2 korrik) për të realizuar interesat më të larta të popullit tonë dhe për të ndaluar sulmin kundër tyre".
Sipas tij, çdo marrëveshje duhet të përmbajë armëpushimin e përhershëm dhe tërheqjen e plotë të Izraelit nga Rripi i Gazës, ndërsa oferta e bërë ndaj tyre në Kajro nuk përmbante këto.
"Propozimi i ri, i cili përfshin kërkesat e Izraelit, kontrolli i kufirit prej 14 kilometrash Egjipt-Gazë, i quajtur 'Korridori i Filadelfit', i lihet Izraelit dhe prezenca ushtarake izraelite parashikohet të vazhdojë në Gaza", bëri të ditur zyrtari.
Ai tha se delegacioni i Hamasit është larguar nga Kajro pasi ia ka përcjellë vendeve ndërmjetësuese.
- Ekipi negociator izraelit u largua gjithashtu nga Kajro
Mediat izraelite raportuan se edhe delegacioni izraelit, i cili ndodhej në Kajro për negociata, është larguar nga vendi.
Sipas lajmit të televizionit shtetëror izraelit KAN, delegacioni izraelit, i cili ndodhej në Kajro, për negociatat e armëpushimit dhe marrëveshjes së shkëmbimit të pengjeve, është kthyer në vend.
"Shanset për të bërë përparim në bisedimet e armëpushimit në Gaza sot ishin të pakta", thanë zyrtarët izraelitë sipas lajmit.
"Autoriteti i marrë nga delegacioni nuk lejon arritjen e një marrëveshjeje për Korridorin e Filadelfit", shtuan më tej zyrtarët.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, akuzohet nga Izraeli dhe komuniteti ndërkombëtar se nuk ka bërë një marrëveshje shkëmbimi të pengjeve me Hamasin për arsye politike.
Katastrofa humanitare në sulmet e Izraelit në Gaza, ku humbja e jetëve, kryesisht gra dhe fëmijë ka kaluar 40 mijë, për më shumë se 10 muaj, po thellohet çdo ditë e më shumë./aa