Një automjet i Policisë së Kosovës sapo është bllokuar nga protestuesit në Zveçan.
Automjeti në të cilin ndodhen tre policë, gjatë patrullimit afër ndërtesës së komunës, sapo është vërejtur nga protestuesit të njëjtit i kanë dalë nga ana tjetër dhe e kanë bllokuar.
Aktualisht tre policët janë duke qëndruar në automjet dhe nuk janë duke ndërmarrë ndonjë veprim. Ndërsa me të kuptuar situatën, numri i atyre që e kanë bllokuar automjetin po rritet.
Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, serbët po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës, raporton KosovaPress.
Si pasojë e veprimeve të protestuesve kanë mbetur të lënduar disa policë dhe pjesëtarë të KFOR-it. Gjithashtu, janë djegur dhe dëmtuar vetura të Policisë së Kosovës dhe të mediave. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë.
Ky veprim i institucioneve të Kosovës është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian derisa kanë kërkuar shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri. Javën që shkoi, ndërkombëtarët i kërkuan Kosovës që të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës. Pas situatës së krijuar në veri të vendit, sot dhe nesër në Kosovë do të qëndrojnë i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.