Bashkia e Shijakut ka përfunduar 1780 dosje për banesat informale të ndërtuara në 20 vitet e fundit.
Lajmin e dha sot në një prononcim për mediet, kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, i cili u shpreh se, “pas punës intensive që ka bërë stafi i dedikuar për inspektimin dhe verifikimin e banesave informale, bashkia Shijak ka mbyllur me sukses evidentimin dhe plotësimin e dosjeve fizike për çdo banesë informale”.
“Pas nismës së Kryeministrit Rama për legalizimet e këtyre banesave, në ndihmë të së cilit u vunë dhe bashkitë, stafi i dedikuar i bashkisë ka trokitur në çdo familje për inspektime”, tha ai.
Arbana theksoi se, stafi i bashkisë ka trokitur derë më derë dhe nga 10500 inspektime janë evidentuar rreth 1780 banesa informale të ndërtuara në mbi 20 vjet.
Kryebashkiaku nënvizoi se, përveç identifikimit, risi në këtë proces për qytetarët e Shijakut është ndihma që i kemi dhënë çdo familjeje duke i bërë gati genplanet e banesave të tyre, falas.
“Ne bashkëpunojmë me ASHK-në si një punë zinxhir deri në arritjen e qëllimit përfundimtar dhe të shumëpritur për qytetarët e Shijakut që duan të gëzojnë një banesë të legalizuar”, tha ai.
Arbana theksoi se, pas mbarimit me sukses nga ana e bashkisë dhe përcjelljes së informacionit edhe dosjeve drejt ASHK-së, menjëherë është përgjigjur drejtoria e këtij institucioni për të bërë të mundur certifikimin e tyre.
“Jam krenar dhe entuziast për punën që kemi bërë, për më tepër që kemi punuar në sezonin e pushimeve, periudhën korrik-gusht. Ku ka vullnet, ka zgjidhje”, u shpreh ai./ata