Të dhënat historike të 30 viteve të fundit tregojnë rritje të numrit të ditëve me temperatura mbi 35 gradë celsius dhe të netëve me temperatura mbi 20 gradë. Temperatura të larta kanë pushtuar vendin tonë këtë verë, sidomos në muajin gusht, i cili është shoqëruar me shtimin e vatrave të zjarrit kryesisht në sipërfaqet pyjore, por duke rrezikuar edhe zonat e banuara dhe tokat bujqësore.

Përveç kërcënimit të drejtpërdrejtë në jetë njerëzish, zjarret përfaqësojnë edhe një faturë direkte për ekonominë e vendit dhe për mijëra biznese, duke marrë në konsideratë varësinë e ekonomisë së vendit nga sektori i bujqësisë.

“Scan Intel” është fokusuar edhe njëherë në një analizë mbi zjarrëfikësit, kapacitetet tona në këtë drejtim dhe krahasimin me Europën. Janë kryqëzuar të dhënat më të fundit të “Agjencisë Europiane të Statistikave” me ato të “Ministrisë së Brendshme” për të parë se sa zjarrfikës ka në vendin tonë dhe në Europë në raport me të punësuarit gjithsej.

Sipas Ministrisë ndërkohë, shërbimi zjarrfikës në vend numëron rreth 1,297 punonjës, por le të theksojmë se jo të gjithë janë zjarrfikës. Nga ana tjetër, në vitin 2023, kishte rreth 362 mijë zjarrfikës profesionistë në vendet e Bashkimit Europian, që përfaqësonin 0.18% të punësimit total në BE. Por sa përfaqësojnë në Shqipëri?

Nga një përllogaritje e thjeshtë del se në Shqipëri norma është 0.19%. Norma i referohet raportit mbi totalin e të punësuarve me pagë në vendin tonë, që sipas “Institutit të Statistikave” fiksohet në rreth 650 mijë. Në rast se këtë përllogaritje do ta bënim mbi totalin e të punësuarve gjithsej, ku klasifikohen edhe të vetëpunësuarit në bujqësi, atëherë norma do të zbriste në vetëm 0.09%, pra më shumë se dy herë më e ulët se norma në Bashkimin Europian.

Nëse analizojmë vendet e Europës, shohim se raportin më të lartë të numrit të zjarrfikësve ndaj totalit të të punësuave e ka Kroacia me 0.49%, pasuar nga Greqia dhe Estonia me 0.39% secila. Ndërkohë, vendet me normën më të ulët janë Holanda dhe Zvicra.

Sipas të dhënave të “Ministrisë së Brendshme” shërbimi zjarrfikës i bashkive ka sot 147 automjete zjarrfikëse (duke përfshirë këtu edhe automjete zjarrfikëse mbështetëse si autoshkalla, autobote, etj.) Në 61 bashkitë në vend janë instaluar 70 stacione zjarrfikëse, nga 38 që ishin në 2014, me 1,297 punonjës./Scan