Gjykata e Tiranës ka zbardhur vendimin për lirimin e Fatjon Muratit, ku nga masa e sigurisë “Arrest me burg”, iu zëvendësua me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Në arsyetimin e gjykatës, thuhet se pas verifikimeve, të gjitha rezultatet e arritura nga hetimi, ndryshonin dhe zbutnin ndjeshëm pozitën proçedurale të Muratit.
“1. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin e arsyetuar, me numër 1575/1, datë 11.10.2022, pasi ka shqyrtuar kërkesën e prokurorit për “Vleftësimin e arrestit të kryer në flagrancë” si dhe “Caktim mase sigurimi”, ndaj personit nën hetim Fatjon Murati, ka vendosur: “Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrance dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj personit nën hetim Fatjon Murati.
2. Me vendimin Nr. 1575/2, datë 28.12.2022 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë , Gjyqtari i hetimit paraprak, pasi ka shqyrtuar kërkesën me objekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit caktuar ndaj personit nën hetim Fatjon Murati”, pasi ka administruar: provat shkresore (të dorëzuara nga palët), të gjitha rrethanat e reja, të ndryshuara, ka konstatuar ndryshimin/zbutjen e akuzës penale në ngarkim të këtij shtetasi, nga vepra penale e “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal, në atë të parashikuar nga neni 278 paragrafi i 3-të i Kodit Penal (për të cilin parashikohet një marzh dënimi 1-3 vjet burgim), ka verifikuar të gjitha rezultatet në të cilat ka arritur hetimi paraprak, i cili ka rezultuar i përfunduar, të cilat në zbatim të nenit 260 të K.Pr.Penale, ndryshonin dhe zbutnin ndjeshëm pozitën proçedurale të këtij shtetasi, në kuadër të këtij proçedimi penal, referuar të gjitha argumenteve ligjore, të pasqyruara në vendimin e arsyetuar, Gjykata ka vendosur: “Zëvendësimin e masës së sigurimit nga “Arrest në burg” në atë të “Arrestit në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit/ tashmë në cilësinë e të pandehurit Fatjon Murati”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e gjykatës.
Fatjon Murati u arrestua më 8 tetor nga Policia e Tiranës. Ai ishte shpallur në kërkim pasi gjurma e gishtit të tij është gjetur në një send gjatë kontrollit të banesës së Kristin Gjinit në 12 Korrik 2022 ku u sekuestruan një arsenal armësh.. 2 muaj pas arrestimit, atij iu ndryshua masa e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie”.
Në lokalin e Muratit në zonën e “Don Boskos”, ndodhi ngjarja e rëndë mbrëmjen e djeshme, me 1 viktimë dhe 6 të plagosur nga të shtënat me armë.