Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) shpall thirrjen drejtuar studiuesve dhe arkivistëve në mbarë trojet shqiptare, për të dorëzuar punimet e përgatitura për botimin e revistës “Arkivat Shqiptare”.
Drejtori i Përgjithshëm i DPA-së, Ardit Bido në një deklaratë për shtyp tha se “në vazhdën e një tradite tashmë solide, DPA-ja do të kurorëzojë bashkëpunimin e vijueshëm me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK) dhe Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH), me publikimin e numrit të radhës të revistës “Arkivat Shqiptare””.
Sipas tij, ky botim përmbledh trajtesat e studiuesve dhe të arkivistëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
“Synimi i këtij publikimi, është lëvrimi i lëmit të arkivistikës si shkencë e posaçme, e mëvetësuar nga historia apo shkencat e tjera të përafërta”, tha Bido.
Në këtë numër të revistës, do të përfshihen punime mbi problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin, përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionin e punës së arkivave në realitetin e sotëm.
“Në përgjigje të kësaj thirrjeje, ekspertët, arkivistët, studiuesit e arkivave të rrjeteve arkivore kombëtare, përfshirë edhe pjesëmarrësit në punimet e Konferencës së VIII-të Mbarëkombëtare të Arkivistikës, duhet të dërgojnë punimin e tyre drejtpërdrejt në aplikacionin botime.arkiva.gov.al, deri më datë 15 shtator”, tha Bido.
Nëpërmjet revistës “Arkivat Shqiptare”, që është e vetmja e llojit të vet në mbarë trojet shqiptare, mundësohet shkëmbimi i përvojave dhe bashkëndarja e rezultateve të arkivistikës në nivel kombëtar./ata