Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u paraqit këtë të premte në ora 10:00 në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Bardhi është thirrur nga prokurorët e SPAK, lidhur me hetimin e nisur nga organi i posaçëm i akuzës për dosjen “Xibraka”, ku deputeti i Partisë Demokratike ka akuzuar Olsi Ramën si të përfshirë. Nga krahu tjetër, Olsi Rama ka depozituar dy kallëzime në ngarkim të Bardhit për akuzën e shpifjes.

“Siç jeni në dijeni në datën 29 mars,  nga selia e PD,  kam denoncuar publikisht mbi dyshimin e përfshirjes së vëllait të Kryeministrit Rama, Olsi Rama në çështjen  “Xibraka”. E kam dorëzuar zyrtarisht pranë SPAK kallëzimin. Jam informuar nga drejtuesi i SPAK, por dhe nga drejtuesit e BKH, që pas informacionit të dorëzuar nga ana ime, dosja e Xibrakës është rihapur dhe kanë rinisur hetimet për identifikimin e personave, që në dosje ishin etiketuar si të paidentifikuar. Sot kam përsëritur dhe konfirmuar të dhënat dhe faktet që kam patur unë”, tha Bardhi.

“Seanca kishte vetëm një pyetje, nëse kisha gjë për të shtuar. Isha në cilësinë e personit që ka dijeni për çështje. Në dosjen për të cilën flasim, kallëzues është prokuroria dhe policia e Hanoverit. Unë kam kërkuar rihapjen e dosjes të mbyllur në vitin 2018. Persona të përfshirë, jo si pas meje, por sipas gjykatës ishin cilësuar si të paidentifikuar. Unë kërkova të hetohet dhe identifikohen. Laboratori i Xibrakës ishte i pari laborator kokaine në Shqipëri”, shtoi Bardhi.

Lidhur me dy kallëzimet për shpifje të Olsi Ramës ndaj tij, Bardhi u shpreh se interesi i tij është vijimi i hetimeve.

Ai ishte thirrur të dëshmonte më herët, por për shkak të angazhimeve, u vendos që të paraqitet sot, në arën 10:00./ata