Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi sot se “dy popujt janë shumë afër dhe do të vazhdojnë jenë shumë afër, rrugëtimin evropian të Shqipërisë ne e shohim edhe me mbështetjen e Greqisë”.
I pyetur nga gazetarët në bashkëbisedim me ta pas Komferencës së Ambasadorëve, në lidhje me marrëdhëniet me Greqinë, Hasani u shpreh se “në historinë e dy popujve, dy prej realiteteve më të vjetra në rajon, një individ nuk mund të prishë një marrëdhënie shumëshekullore.
“Jemi pikërisht në këtë fazë që vlerësojmë maksimalisht fqinjët tanë direkt që janë Greqia, Italia dhe Turqia. Nga ana tjetër gjithë angazhimi është për shqiptarët në rajon dhe ky është fokusi i punës që do të kemi në rajon”.
“Patjetër mos të harrojmë sa shumë ka ndodhur dhe është bërë mes Shqipërisë dhe Greqisë me momente të vështira dhe shumë të mira. Padyshim dy popujt janë shumë afër dhe do të vazhdojnë jenë shumë afër në rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe ne e shohim edhe me mbështetjen e Greqisë”, tha Hasani.
Hasani theksoi se “gjëja më rëndësishme në këtë histori është identifikimi i datës për konferencën e dytë ndërqeveritare. Kjo i hap rrugën Shqipërisë për tu bërë sa më shpejt , sa më parë pjesë e Bashkimit Europian. Mos të harrojmë që ndonëse në numra teknikë kapitujsh të hapur nuk jemi aty ku Mali i Zi përshembull është vendi që kryeson nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, por politikisht jemi vendi që jemi më pranë , vendi që ka konsensusin më të madh nga vendet e BE-së për t’u bërë sa më shpejt pjesë e Unionit”.
Lidhur me marrëveshjen e pensioneve, Hasani tha se “qeveria shqiptare e ka bërë pjesën e vet për hartimin, saktësimin dhe definimin sa i përket marrëveshjes së pensioneve mes Greqisë dhe Shqipërisë. Nuk është e lehtë, por këtu nuk po përpiqem të justifikoj asgjë, nuk është një negociatë shumë e lehtë sepse numrat janë të mëdhenj dhe realitetet janë të ndryshme, por po përpiqemi maksimalisht që ne këtë gjë ta shtyjmë dhe ta bëjmë sa më shpejt konkrete. Ka shumë tema të hapura me Greqinë dhe ne duam që gjërat t’i negociojmë të gjitha por të arrijmë rezultate të shpejta tek secila prej tyre”.
“Nëse do arrijmë diçka tek pensionet ne jemi gati, di të them që në ndryshim nga Italia ku negociata ishte shumë e gjatë dhe me shumë anekse, atje të paktën nuk kishte probleme ndërrimi emrash. Kur të futemi tek elementet teknike duhet të jemi shumë të qartë dhe të angazhuar për atë që po bëjmë. Di të them që shumë shqiptarë, të cilët kanë punuar në Greqi këto përfitime i marrin në momentin që kanë emigruar nga Greqia në vende të tjera të Bashkimit Europian me të cilat ne kemi marrëveshje”, nënvizoi Hasani.
Sa i përket negociatave me BE-në, Hasani u shpreh se “padyshim kur them që janë shumë kantiere ndërtimi të hapura me Greqinë, angazhimi ka qenë konstant, më absolut gjatë gjithë këtij viti për çështjet e hapjes së kapitullit të parë”.
“Ka qenë një angazhim diskret, jo publik, jo me mikrofona dhe deklarata, por me punë dhe angazhim të përhershëm dhe mendoj që jemi gjithmonë në rrugën e duhur, pasi momente të tilla janë, unë do t’i cilësoja aksidente, që thjesht na bëjnë më të vëmendshëm për mënyrën si do të përgatitemi në negociatat në vazhdim”, tha Hasani.
Sa i përket çështjes së ligjit të luftës, Hasani u shpreh se “kuvendi i Shqipërisë me iniciativë të disa kolegëve të nderuar i ka ofruar Shqipërisë , por edhe Greqisë një dokument që shtrin dorën për të filluar për të menduar këtë çështje të rëndësishme . Rëndësia që dy vendet tona kanë duhet të kapërcejë çdo pengesë dhe të shohim përpara në mënyrë që të jemi së bashku anëtarë të BE-së pa hije të së shkuarës”./ata