Shefja e misionit të ODIHR, Audrey Glover, ka dalë këtë të premte në një konferencë për shtyp, ku ka folur për monitorimin e zgjedhjeve lokale të 14 majit.

 

Glover theksoi se ODHIR, do të ketë një ekip bazë në Tiranë, i cili do të përbëhet nga 13 ekspertë që do të qëndrojë para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor në Shqipëri.

 

Gjithashtu ajo nënvizoi se së shpejti do të vijnë edhe 24 vëzhgues afatgjatë të cilët do të shpërndahen në të gjithë vendin.

 

“Jemi këtu për të vëzhguar procesin zgjedhor, e theksoj këtu jemi vetëm për të vëzhguar dhe pa ndikuar në ecurinë e procesit. Po raportojmë ato që po vëzhgojmë.

 

Me vezhgim kemi parasysh vëzhgimin para, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve.

 

Ne do të kemi një ekip bazë prej 13 ekspertësh të vendosur në Tiranë, ku përfshihen një ekpert ligjor, një ekspert zgjedhjesh, një ekspert politik, 2 analistë për mediat, 1 analistë për pakicat kombëtare dhe një kordinator për vëzhguesit afatgjatë. Do të ketë gjithashtu një ekspert për burimet njerëzore, sigurinë dhe për financat, sigurisht i fundit por jo nga rëndësia, do të jetë zëvendësi im.

 

Do të kemi së shpejti edhe 24 vëzhgues afatgjatë të cilët do të mirëinformohen në Tiranë dhe shpërndahen në të gjithë vendin. Do të kemi gjithashtu para ditës së zgjedhjeve edhe monitoruesit afatshkurtër të zgjedhjeve të cilët do të informohen në Tiranë për të shpërndarë më pas në të gjithë vendin ku do të vëzhgojnë qendrat e votimit, qendrat e numërimit dhe daljen e rezultateve”, tha Glover.