Njëzet ushtarë izraelitë nga një brigadë këmbësorie kanë refuzuar të kthehen në luftimet në Gaza dhe disa janë informuar se do të përballen me gjykatën ushtarake nëse nuk respektojnë urdhrin.

Transmetuesi publik izraelit KAN njoftoi se rreth 10 ushtarë izraelitë të martën morën njoftime ku thuhej se do të përballeshin me gjyq për mosbindje ndaj urdhrave ushtarakë nëse nuk pranonin të ktheheshin në Rripin e Gazës.

Disa ushtarë kanë thënë se pasi kanë kaluar 10 muajsh luftime në Gaza, ata nuk mund të kthehen më sërish, por janë të gatshëm të marrin përsipër detyra të tjera. Raportime të ngjashme vështirësish po dalin në pah nga batalione shtesë në brigada të tjera që luftojnë në Gaza.

Familjet e disa prej ushtarëve kanë bërë me dije se djemtë e tyre po detyrohen të hyjnë në manovra tokësore në Gaza, ose do të përballen me burgim, gjë që ata e konsiderojnë të papranueshme. Familjet shtuan se vetëm disa ushtarë të aftë mbeten në njësinë e tyre, duke shtuar se kjo është koha kur ata duhet të ndihmojnë fëmijët e tyre të përballen me një sistem që duket indiferent ndaj gjendjes së tyre.

Në përgjigje, një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se udhëheqësit ushtarakë po punojnë për të mbështetur dhe ndihmuar ushtarët në përmbushjen e detyrave të tyre të ndryshme operacionale. Zëdhënësi tha se ndaj ushtarëve nuk do të ndërmerren veprime ndëshkuese, përfshirë burgim.

Brigadat Kassam, krahu ushtarak i grupit të rezistencës palestineze Hamas, raporton rregullisht se ushtarë izraelitë janë vrarë ose plagosur në operacione të rëndësishme në Gaza. Zyrtarët izraelitë kanë deklaruar vazhdimisht se ushtria është e angazhuar në luftime intensive me luftëtarët palestinezë në këtë sektor dhe se po paguan "një çmim të lartë".

Sipas përditësimit të fundit nga faqja e internetit të ushtrisë izraelite, numri i oficerëve dhe ushtarëve të vrarë izraelitë që nga fillimi i luftës në Gaza më 7 tetor të vitit të kaluar ka arritur në 704, përfshirë 339 që nga fillimi i pushtimit tokësor izraelit më 27 të të njëjtit muaj.

Numri i përgjithshëm i oficerëve dhe ushtarëve të plagosur që nga fillimi i luftës është 4.398, ku 2.262 prej tyre kanë ndodhur që nga fillimi i pushtimit tokësor./aa