Ofensiva në shkallë të gjerë e ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar “rrezikon të thellojë seriozisht situatën tashmë katastrofike në territorin e pushtuar palestinez”, tha sot zëdhënësja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Ravina Shamdasani.

“Operacioni i madh nga forcat izraelite të sigurisë (ISF) në Bregun Perëndimor të pushtuar rrezikon të thellojë seriozisht situatën tashmë katastrofike në Territorin e Pushtuar Palestinez”, tha zyrtarja e OKB-së në një deklaratë.

“Operacionet e Izraelit në Jenin, Tubas dhe Tulkarm sot, dhe vrasja e të paktën nëntë palestinezëve, dy prej të cilëve thuhet se janë fëmijë, e çojnë numrin e përgjithshëm të vdekjeve në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori në 637”, theksoi ajo.

“Ky përfaqëson numrin më të lartë të vdekjeve gjatë një periudhe tetëmujore që kur OKB-ja filloi të regjistronte viktimat në Bregun Perëndimor dy dekada më parë”, tha ajo.

Shamdasani tha më tej: “Shumë fëmijë janë vrarë duke gjuajtur gurë drejt ISF-së shumë të mbrojtur, ashtu si edhe palestinezët e tjerë që nuk paraqesin kërcënim të menjëhershëm për jetën ose lëndime serioze”.

“Përdorimi i tillë i panevojshëm ose joproporcional i forcës dhe rritja e vrasjeve të dukshme të synuara dhe të tjera jashtëgjyqësore janë alarmante”, theksoi zëdhënësja, duke vënë në dukje se mijëra palestinezë janë përballur me arrestime arbitrare, tortura, dhunë të kolonëve, kufizime të rënda të lëvizjes dhe shprehjes, shkatërrim të pronës dhe zhvendosje të detyruar.

Duke u bërë thirrje autoriteteve izraelite që “të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar”, zyrtarja theksoi: “Përdorimi i sulmeve ajrore dhe armëve dhe taktikave të tjera ushtarake nga forcat izraelite të sigurisë shkel normat dhe standardet e të drejtave të njeriut të zbatueshme për operacionet e zbatimit të ligjit”.

“Vrasjet e dyshuara të paligjshme duhet të hetohen tërësisht dhe në mënyrë të pavarur dhe autorët duhet të mbahen para përgjegjësisë”, shtoi ajo.

Më herët, ushtria izraelite kreu një operacion të madh ushtarak në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar, duke bërë ofensivën më të madhe në dy dekada.

Të paktën dhjetë palestinezë janë vrarë që nga fillimi i operacionit, sipas shifrave të fundit të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Ministri i Jashtëm izraelit Israel Katz tha se operacioni i ushtrisë përfshin “evakuimin e përkohshëm të banorëve palestinezë” nga zonat në veri të Bregut Perëndimor.

Gjatë viteve të fundit, forcat izraelite kanë kryer bastisje të rregullta në Bregun Perëndimor, të cilat u përshkallëzuan pas luftës në Gaza tetorin e kaluar, në të cilën janë vrarë mbi 40.500 palestinezë.

Palestinezët gjithashtu janë sulmuar dhunshëm nga kolonët e paligjshëm izraelitë.

Vdekjet e reja e çojnë numrin e viktimave në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori në të paktën 662 dhe gati 5.400 të tjerë të plagosur nga zjarri i ushtrisë izraelite, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Në një opinion historik më 19 korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin disadekadësh të tokës palestineze nga Izraeli dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve ekzistuese kolone në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor./aa