Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka përcaktuar procedurat që duhet të ndiqen për dhënien me qira të kullotave që ndodhen brenda zonave të mbrojtura. Sipas udhëzimit Agjencitë rajonave të Zonave të Mbrojtura dhe Zyra e Administrimit të Parqeve Kombëtare do të duhet që brenda datës 15 shkurt të çdo viti, të përcaktojnë parcelat kullosore publike dhe private që mund të jepen për përdorim për kullotje.

Ndërkohë që, ky proces duhet të kryhet në përputhje me legjislacionit në fuqi për kullotat dhe zonat e mbrojtura, që ka një sërë kufizimesh për shkak të ndikimit negativ që mund të sjellë mospërdorimi i duhur i këtyre territoreve.

Udhëzimi i ministrisë përcakton se për dhënien me qira të territoreve kullota, mbahet në konsideratë që veprimtaria e kullotjes të mos cenojë vlerat dhe funksionet natyrore e biologjike të territorit kullosor, si dhe të të jetë në harmoni me elementet e vlerave të biodiversitetit që ajo ka.

Subjektet e interesuar duhet të paraqesin kërkesën me shkrim pranë bashkisë përkatëse brenda datës 30 mars, për kullotat verore dhe brenda datës 10 korrik, për kullotat dimërore. Ndërkohë që, afati për dhënien në përdorim të kullotave është 5 vjet me të drejtë rinovimi.

Gjithsesi, këto rregulla nuk do të aplikohen për parcelat e ndodhura në kullotat që ndodhen në nënzonën qendrore të zonës së mbrojtur përjashtohen nga përdorimi sipas kërkesave të këtij udhëzimi.

Përdorimi i territorit të kullotave është vënë në qendër edhe të një projektligji të depozituar nga deputetja socialiste Edona Bilali, e cila ka kërkuar lejimin e ndërtimit të centraleve fotovoltaike dhe eolike brenda tyre./Scan