Qeveria shqiptare u bën apel investitorëve të huaj dhe sipërmarrësve shqiptarë që të investojnë në sektorin e turizmit, duke e konsideruar me potenciale të larta zhvillimi. Agjencia Shqiptare e Investimeve ka hartuar një broshurë të posaçme informuese se përse ia vlen që të shtrihen investimet në këtë sektor.

Sipas dokumentit turizmi punëson 20 % të totalit të forcës punëtore në Shqipëri dhe është kontirbutori më i madh në ekonomi në rreth 8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ku numri i turistëve në 2023 arriti në mbi 10 milionë.

Referuar dokumentit një ndër arsyet për të investuar në këtë sektor është fakti se Shqipëria ka adoptuar një kuadër ligjor liberal i projektuar për të krijuar një klimë të favorshme për investitorët e huaj.

Ndër incentivat, përmendet përjashtimi nga të ardhurat korporative. Objektet akomoduese si “Hotele me katër dhe pesë yje, me status të veçantë” dhe mbajtësit e një marke të njohur dhe të regjistruar ndërkombëtarisht përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat e korporatave për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura të cilat marrin status të veçantë deri në dhjetor 2024 duke filluar nga fillimi i aktivitetit, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special.

Përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për objektet akomoduese “Hotele me pesë yje hotele, me status special”, mbajtës të një të njohur dhe të regjistruar ndërkombëtarisht, konsiderohet gjithashtu një avantazh. Po ashtu përjashtohen nga pagesa e taksës për ndikimin në infrastrukturë edhe investimet e subjekteve, të cilat kryejnë veprimtari pritëse të certifikuara si “agro- turizmin”, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit.

Gjithashtu si avantazh, listohet dhe përjashtimi nga taksa mbi ndërtesat për strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”, siç përcaktohet në legjislacionin në fushën e turizmit,  të cilët janë mbajtës të një marke të njohur dhe të regjistruar ndërkombëtarisht si dhe TVSH-ja 6 për qind për strukturat akomoduese.

Sa i takon hartës së fushave prioritare në zhvillimin e turizmit, janë përcaktuar Alpet shqiptare, jugu i ri, Portet dhe Marinat si dhe Tirana.  Në dokument thuhet se Alpet Shqiptare  janë një destinacion që lidhen me natyrën, aktivitetit dhe turizmit sportiv.  Sa i takon jugut, nënvizohet se aeroporti i ri në jug do të sjellë një përmirësim të dukshëm.  Po ashtu theksohet se marinat dhe portet kanë një potencial të lartë për tërheqjen e turistëve të huaj. Duke marrë parasysh se hyrjet nga deti janë rritur në Shqipëri, ka mundësi për tu zhvilluar 6 pika të reja porti me një të lartë shfrytëzimi. Ndërsa për kryeqytetin, argumentohet se Tirana do të vazhdojë të përmirësohet në infrastrukturë, të bëhet tërheqëse për ngjarje rajonale të biznesit dhe vizitorët e fundjavës, por edhe një qendër kulturore e turistike./Scan