Rreth 33.7 miliardë lekë është vlera e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike në tremujorin e dytë 2024, nga 24.4 miliardë lekë të së njëjtës periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje prej 38.1%.

Edhe sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja është rritur me 29.4% duke kaluar në 844.137 metër katror, nga 652.136 metër katror që ishte miratuar një vit më parë.

“Scan Intel” ka analizuar të dhënat për të kuptuar sesa ishte vlera e lejeve të ndërtimit përgjatë 6 muajve të parë të vitit. Shifrat tregojnë se kjo vlerë arrin në 47.3 miliardë lekë. Ndërkohë, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit për këtë gjashtëmujor arriti në 1 milion metër katror.

Por, për çfarë u dhanë më shumë leje? Në tremujorin e dytë 2024 janë miratuar gjithsej 354 leje ndërtimi për një sipërfaqe totale prej 844,137 metër katror, me një vlerë prej 29,8 miliardë lekë për ndërtime të reja dhe 3,8 miliardë lekë për rikonstruksione.

Nga totali 254 i përkasin kategorisë leje ndërtimi për banesa rezidenciale që përbëjnë rreth 72% të lejeve gjithsej. 100 prej tyre janë leje për ndërtesa të tjera jorezidente që përfshijnë hotele, ndërtesa tregtare, për zyra etj. Nga ana tjetër, janë miratuar 5 projekte për punime inxhinierike ku investimet kryesore janë në infrastrukturë transporti, linjat e ujësjellësve dhe energjisë elektrike.

Nëse analizojmë strukturën e vlerës së përafërt të lejeve të ndërtimit për tremujorin e dytë 2024 vëmë re se ndërtimet rezidente përbëjnë 77.7% të vlerës totale, ato jorezidente 18% dhe punimet inxhinerike 11.3%./Scan