Vendet e punës në sektorin e energjisë së pastër në Shtetet e Bashkuara u shtuan gjatë vitit 2023 me dyfishin e ritmit të vendeve të tjera të punës. Gjithashtu, niveli i pranisë së organizatave sindikale në këtë sektor ia kaloi për herë të parë nivelit në sektorin më të gjerë energjetik, njoftoi të mërkurën Departamenti i Energjisë.

Punësimi në bizneset e energjisë së pastër përfshirë energjinë nga era, atë diellore, bërthamore dhe sektorin e baterive u rrit me 142,000 vende pune, ose me 4.2%, nga një rritje prej 3.9% në vitin 2022, thuhet në Raportin e Energjisë dhe Punësimit në Shtetet e Bashkuara. Ky nivel është mbi normën e përgjithshme të rritjes së vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara, që ka qenë në nivelin 2% në vitin 2023.

Niveli i anëtarësimit në sindikata në sektorin e energjisë së pastër arriti në 12.4%, më shumë se niveli i përgjithshëm prej 11% në sektorin energjetik, thotë raporti. Kjo u nxit nga rritja në industritë e ndërtimit dhe shërbimeve dhe pas miratimit të iniciativave të reja ligjore në vitin 2022, përfshirë Ligjin dypartiak CHIPS (për prodhimin brenda vendit të gjysmëpërçuesve) dhe Ligjin e propozuar nga Presidenti Joe Biden për Reduktimin e Inflacionit, tha Departamenti i Energjisë.

Vendet e punës për ndërtimin e sektorit të energjisë së pastër, të nxitura nga legjislacioni dhe investimet e sektorit privat, "pritet të vazhdojnë për dekada të ndërtojnë infrastrukturën e energjisë së pastër që na nevojitet", u tha gazetarëve gjatë një telefonate Betony Jones, drejtuese për vendet e punës në sektorin energjetik, në Departamentin e Energjisë. Ndërsa anëtarët e sindikatave "mund të lëvizin nga projekti në projekt, ka vazhdimësi të punës në mënyrë që punëtorët ta vazhdojnë karrierën në këtë industri", tha ajo.

Punësimi për shërbimet e furnizimit me energji dhe industrinë e paneleve diellore u rrit me 5.3% duke shtuar më shumë se 18,000 vende pune, thotë raporti. Industria e instalimeve diellore në Kaliforni, shteti më i populluar amerikan, raporton se ka humbur mbi 17,000 vende pune për shkak të normave të larta të interesit dhe uljes së nivelit në matësa që shteti ua përllogarit klientëve si rimbursim për energjinë e tepërt që gjenerohet nga panelet e vendosura në çatitë e tyre.

Niveli i vendeve të reja të punës në sektorët me lëndë djegëse fosile ka pësuar rënie, por edhe ngritje. Fuqia punëtore për gazin natyror u rrit me më shumë se 77,000 vende ose 13,3%, ndërsa vendet e punës për naftën ranë me më shumë se 44,000 ose 6%. Vendet e punës për qymyrgurin u pakësuan me gati 8,500 ose 5.3%, ndërsa prodhimi i energjisë vazhdoi të zhvendoset nga qymyri drejt gazit, erës dhe diellit. Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për klimën, Ali Zaidi, u tha gazetarëve se raporti tregon angazhimin e administratës për sigurinë e energjisë dhe atë klimatike.

Sektori energjetik vazhdoi të ketë një fuqi punëtore të përbërë kryesisht nga burrat, me një mesatare prej 73% në vitin 2023, krahasuar me mesataren e fuqisë punëtore kombëtare që ishte në 53% burra, të njëjtat shifra si në vitin pararendës. Gratë patën rreth gjysmën e vendeve të punës të shtuara në sektorin energjetik në vitin 2022, por vetëm 17% të vendeve të punës të shtuara në vitin 2023, thuhet në raport./ VOA

shba