Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje, pas largimit të Eridana Çanos në krye të SASPAC, është nën drejtimin e Jona Sulit. Kjo e fundit ishte deri në korrik në krye të SASPAC dhe u shkarkua nga kryeministri për performancë të ulët afro 7 muaj pas emërimit. Pavarësisht kësaj, Rama i dha si shpërblim drejtimin e Bashkëqeverisjes. 

Kështu, drejtoreshat këmbyen vendet e punës dhe prezantuan njëra-tjetrën në institucionet që do të drejtojnë.  SASPAC është agjencia që dyshohet se ka kryer abuzimin me fondet e BE, për të cilën ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja është i arrestuar. 

Arrestimi i Beqajt dhe abuzimi me fondet e SASPAC

Lidhur me aferën e fundit me abuzimet e fondeve të SASPAC, më 4 korrik u vu në pranga Ilir Beqaj dhe veç tij në pranga u vu dhe Ermal Kurtulaj, krahu i tij i djathtë dhe Alfred Nikolla. Beqaj u arrestua lidhur me shpërdorimin e fondeve të BE-së, përmes agjencisë SASPAC, të cilën ish-ministri i Shëndetësisë e drejtonte, edhe pse më parë ndaj tij, SPAK kishte nisur hetimet lidhur me koncesionet në shëndetësi. Përmes një deklarate, SPAK sqaroi se nga hetimet rezultoi se kur drejtonte Agjencinë SASPAC, ka ngritur skemë përfitimi me fatura dhe procedura prokurimi fiktive, duke zhvatur fondet e BE (Programi IPA II).

Sipas Prokurorisë së Posaçme, fondet për aktivitetet e agjencisë SASPAC shkonin te fituesit e paracaktuar sipas urdhrave dhe direktivave që jepte Beqaj. Në funksion të kësaj skeme, thotë SPAK, Beqaj ka bashkëpunuar me Ermal Kurtulaj, financieri dhe bashkëpunëtori i ngushtë i tij. Restoranti “Gzona’ brenda në Kalanë e Tiranës, sipas SPAK, ndonëse ka për administrator një person tjetër, është pronë e fshehur e Beqajt. SPAK thekson se Beqaj ka investuar te restorant “Gzona” prej vitit 2019 shumat 21 411 euro dhe 4 666 110 lekë të reja për blerjen e pajisjeve dhe 34 783 euro si shpenzime qiraje./Dosja