Në një postim të fundit në Facebook, “Qendresa Qytetare” ka shprehur shqetësimin për reduktimin e ndjeshëm të numrit të nxënësve në shkollat e fshatrave shqiptare, duke theksuar se zvarritja e publikimit të të dhënave të Censit nga INSTAT nuk adreson eksodin e vazhdueshëm të popullsisë nga zonat rurale. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, nga viti 2012 deri në vitin 2022, numri i nxënësve të regjistruar në shkollat e fshatrave ka rënë me rreth 40%, ndërsa numri i nxënësve në qytete ka pësuar një ulje prej 20% në të njëjtën periudhë. Ky fenomen është një tregues i qartë i eksodit masiv të shqiptarëve gjatë dekadës së fundit dhe i mungesës së vizionit për mbijetesën e Shqipërisë rurale.
“Qendresa Qytetare” thekson se është e nevojshme një paketë mbështetëse e qartë për fermerët dhe blegtorët, si dhe investime në infrastrukturë, për të frenuar shpopullimin e zonave rurale dhe për të nxitur zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme në fshat.
Situata bëhet edhe më alarmante kur merret parasysh se, gjatë 11 viteve të fundit të qeverisjes nga Partia Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës, Shqipëria ka përjetuar një eksod të madh të popullsisë drejt vendeve të huaja. Kjo jo vetëm që reflekton problemet e brendshme sociale dhe ekonomike, por gjithashtu dëshmon për dështimin e politikave qeveritare për të mbështetur dhe zhvilluar zonat rurale.
POSTIMI I PLOTË:
40% nxënës më pak në fshatra, zvarritja e publikimit të të dhënave të Censit nuk kuron plagën e eksodit!
Në një kohë që INSAT nuk bën ende transparencë për të dhënat e popullsisë që jeton në fshat dhe asaj që jeton në qytet të dhënat nga Ministria e Arsimit faktojnë se nga viti 2012 në vitin 2022 numri i nxënësve të regjistruar në shkollat e fshatrave pësoi rënie me rreth 40 për qind teksa, numri i nxënësve në shkollat e qytetit ka pësuar rënie me 20 % për të njëjtën periudhë.
Në vitin shkollor 2012-2013 në shkollat e fshatrave të vendit ishin të regjistruar mbi 186 mijë nxënës, ndërsa numri i tyre ra në 113 mijë në vitin shkollor 2021-2022.
Këto shifra janë dëshmia më e qartë e eksodit biblik të shqiptarëve dekadën e fundit, gjithashtu dëshmi e mungesës së vizionit se qeverisë që Shqipëria rurale të mbijetojë.
Ku flasim për reduktimin e popullsisë në fshat, duhet të kemi parasysh që flasim për zhdukjen e bujqësisë dhe blegtorisë, që në Shqipëri kanë një traditë shekullore, por që sot janë asgjësuar.
Qëndresa Qytetarë vlerëson se vetëm një paketë mbështetëse transparente për fermerët dhe blegtorët si dhe investimet në infrastrukture dhe mbështetja për bujtinat do të kurojë plagën e shpopullimit të fshatrave.
Banorët e fshatrave janë një potencial i jashtëzakonshëm për Shqipërinë dhe për ekonominë që nuk e meritojnë braktisjen e qeverisë.
Projekti i Rilindjes Urbane u kushtoi shqiptarëve miliona euro për të cilat su bë kurrë transparencë, por mesa duket koha është për një projekt të Rilindjes Rurale, pasi impakti në ekonomi do të ishte shumë më i madh./SyriNet