Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi sot një takim me mësues nga shkolla “Sabaudin Gabrani” në Tiranë, një prej shkollave me rezultatet më të larta në kryeqytet.
Në takim, Ministrja Manastirliu nënvizoi mbështetjen që MAS po ofron për mësuesit, zhvillimet e reja për përditësimin e kurrikulës arsimore dhe përgatitjet për vlerësimin ndërkombëtar PISA.

“Prioritetet e punës sonë të përbashkët përqendrohen në përmirësimin e standardeve të mësimdhënies dhe cilësisë së arsimit, si dhe në mbështetjen konkrete për personelin mësimor. Përveç rritjes së pagave, kemi implementuar skemën e re të kualifikimit, që ofron trajnime përmes universiteteve tona dhe mbështetje financiare të përshpejtuar për mësuesit në vitin e 3-të, të 8-të dhe të 15-të të karrierës së tyre”. Këto masa tha Ministrja Manastirliu, synojnë të nxisin profesionalizmin dhe motivimin e mësuesve, duke kontribuar në një cilësi më të lartë të arsimimit për nxënësit.

 

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu vuri theksin te rëndësia e përditësimit të Kornizës Kurrikulare të Arsimit Parauniversitar, një dokument strategjik që synon të përshtatet me zhvillimet e shekullit XXI dhe kërkesat ndërkombëtare. Ky përditësim fokusohet në përfshirjen e aspekteve si aftësitë digjitale, mendimi kritik dhe kreativ, dhe integrimi i qasjes STEM në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.

“Jemi duke punuar për të finalizuar një dokument strategjik që është pikërisht korniza kurrikulare, përditësimi i saj dhe modernizimi i disa komponentëve të rëndësishëm që lidhen qoftë me programet lëndore të gjuhës shqipe, programet lëndore të matematikës dhe të lëndëve të tjera, sikurse është teknologjia dhe informacioni, dhe ku ne besojmë se duhet të ecim me një ritëm më të shpejtë sa i përket riorganizimit të programeve lëndore, duke integruar dhe aspekte të aftësive digjitale, kreative apo mendimit kritik, si edhe elementë që kanë të bëjnë me çështje që ne duam t’i riorganizojmë në kurrikula, duke përfshirë këtu STEM, lëndët e shkencave, por dhe lëndët shoqërore që kanë rëndësi të veçantë në shkollë.”, tha Ministrja Manastirliu.

Duke iu referuar testimit ndërkombëtar PISA, ministrja tha se: “Ne jemi duke trajnuar mësuesit dhe nxënësit me teste model për të arritur një performancë optimale, që jo vetëm reflekton realitetin, por na mundëson ndërtimin e politikave të targetuara për përmirësimin e mëtejshëm të standardeve arsimore.”

Si pjesë e programit për digjitalizimin e shkollave, Ministrja Manastirliu vizitoi dhe Smart Lab-in e shkollës “Sabaudin Gabrani”, një laborator që u shërben rreth 375 nxënësve të klasave të para dhe të dyta, duke i pajisur ata me aftësitë e para në kodim përmes platformave interaktive. Laboratori është një nga 50 laboratorët e rinj të pajisur në shkollat e Tiranës, pjesë e një nisme kombëtare për përhapjen e teknologjisë Smart në të gjithë Shqipërinë, e realizuar në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë.
Iniciativa për fuqizimin e Smart Lab-eve dhe përditësimi i kurrikulës janë pjesë e një strategjie të gjerë për të transformuar arsimin në një proces gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, duke e përshtatur atë me sfidat dhe zhvillimet e shekullit XXI./Lexo