Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, inspektoi shkollën speciale “Luigj Gurakuqi”, e cila është kthyer tashmë në një qendër burimore, duke hapur një kapitull të ri për këtë institucion. Ky transformim është pjesë e një plani më të gjerë për përmirësimin e cilësisë së arsimit për fëmijët me aftësi të veçanta dhe për ofrimin e një shërbimi më të integruar dhe gjithëpërfshirës në nivel kombëtar.
Ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e këtij transformimi për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve arsimore për fëmijët me nevoja të veçanta.
“Shkolla speciale ‘Luigj Gurakuqi’ dhe dy institutet, Instituti i fëmijëve që nuk shikojnë dhe Instituti i fëmijëve që nuk dëgjojnë janë duke kaluar në fazën e transformimit për t’i kthyer në qendra burimore. Do të jenë 16 punonjës të rinj të cilët do t’i atashohen kësaj qendre”, vuri në dukje ministrja.
Manastirliu nënvizoi edhe përpjekjet e qeverisë për të përmirësuar integrimin e fëmijëve me aftësi të veçanta në sistemin arsimor, duke shtuar numrin e mësuesve ndihmës dhe trajnimet për to.
“Ne kemi mbi 4 mijë fëmijë të cilët janë të integruar në shkollat tona. Janë mbi 2 mijë mësues ndihmës për këta fëmijë, por sigurisht fokusi ynë është të rrisim numrin e mësuesve ndihmës, duke ofruar gjithashtu për ta, trajnim dhe edukim në vazhdim”, u shpreh ajo.
Ministrja Manastirliu shpjegoi se qendrat burimore nuk do të jenë thjesht shkolla për fëmijët me nevoja të veçanta, por institucione që do të koordinojnë një sërë klasash burimore në shkolla, duke mbështetur planet individuale të edukimit.
“Qendrat Burimore do të koordinojnë në rang vendi hapjen e klasave burimore dhe do të ndjekin në mënyrë shumë të kujdesshme të gjithë planet individuale të edukimit të fëmijëve”, tha Manastirliu.
Shkolla “Luigj Gurakuqi” ka kaluar nëpër një proces të thellë përmirësimi infrastrukturor, që përfshin 16 mjedise mësimore, kabinete specializuese, palestra, terrene sportive, dhe një staf të zgjeruar me 16 punonjës të rinj.
Ministrja theksoi rëndësinë e këtij përmirësimi për të garantuar standardet më të larta për mësimdhënien dhe kujdesin ndaj nxënësve.
Kushtet për mbarëvajtjen e procesit mësimor janë mjaft të mira, jo vetëm për të pritur 82 nxënësit e regjistruar këtë vit, por edhe për të shtuar numrin e fëmijëve që mund të trajtohen./ata