Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama merr pjesë sot në forumin ndërkombëtar të sigurisë GLOBSEC 2024, që po mbahet në Republikën Çeke, ku deklaroi se Shqipëria pa asnjë rezervë është kundër agresionit rus në Ukrainë.
I pyetur nga moderatori Steve Clemons për reputacionin e mirë në SHBA, kryeministri Rama u shpreh se Shqipëria ka nevojë për miq të mirë dhe se është e rëndësishme që të jetë i dobishëm për vendin dhe miqtë.
“Për Shqipërinë është shumë e qartë, ne jemi tërësisht pa asnjë rezervë duke qenë se ne të gjitha i bëjmë pa rezervë. Edhe kur shkuam në drejtimin e gabuar gjatë gjithë kohës, e bëmë pa rezerva. Këtë bëjmë dhe nuk jemi eurokratë të mirë, ne jemi europianë, por jemi shqiptarë. Pa rezervë duam të bëhemi anëtarë të BE. Pa rezervë jemi harmonizuar 100% me politikën e jashtme të BE. Pa asnjë rezervë jemi anëtarë të NATO-s, e po kështu pa asnjë rezervë, jemi kundër agresionit rus në Ukrainë”, tha Rama.
“Ne jemi një vend, ku në përgjithësi është shumë e qartë kudo të shkosh, nga taksisti, deri tek gjithkënd tjetër se ku përkasin, ndërkohë që nuk vlen kjo për të gjithë rajonin. Popullariteti i Vladimir Putinit në Shqipëri është nga 1 deri në 1 pikë pak përqind, ndërkohë që ka vende të tjera në rajon ku Vladimir Putin është më popullor sesanku di unë, Joe Biden apo Kamala Harris. Çështja është, si ta sjellim gjithë këtë klub, si ta bëjmë bashkë këtë rajon, si ta mbajmë të bashkuar dhe integrojmë plotësisht në BE, që nënkupton ta integrosh plotësisht me parimet dhe vlerat europiane, por po kështu edhe me BE dhe sigurisht në mënyrën euroatlantike të të parit të marëdhënieve me jashtë dhe kjo nuk është detyrë e lehtë”, vijoi Rama.
Kreu i qeverisë gjatë bisedës së tij, u shpreh se nuk beson në metodën “miku i armikut tim është armiku im”, duke u përgjigjur në lidhje me marrëdhëniet e tij me administratën e SHBA-së dhe kontaktet me njerëz pranë ish-presidentit Donald Trump, e më konkretisht dhëndrin e tij Jared Kushner.
“Ne jemi një vend i vogël dhe kemi nevojë për miq. Nuk mund të zgjedhim nëse të jemi miq me një vend dhe të mos jemi me një tjetër. Kjo është e pashmangshme për ne,” tha Rama.
“Unë jam rritur në kohën e një regjimi komunist të ashpër. Unë nuk besoj në metodën “miku i armikut tim është armiku im”, te zgjedhja e miqve në këtë lloj mënyre. Jemi një vend i vogël dhe kemi nevojë për miq. Unë jam mik edhe me Jared Kushner, edhe me Alex Soros. Ky është një konfrontim edhe më me kripë se Biden dhe Trump. Shqipëria është mike me Greqinë dhe Turqinë. Si mund të zgjedhim?! Unë jam shumë mik me Melonin, ajo përfaqëson të djathtën dhe më është dashur t’u shpjegoj të gjithë miqve të mi që nuk është ide e mirë nëse shkoj dhe flas në takimin e partisë së saj ku më kanë ftuar dhe të konsiderohem tradhtar. Ky lloj kategorizimi nuk është i dobishëm sot. Njerëzit janë njerëz, unë besoj se të flasësh me njerëz, edhe të mos biesh dakord në mënyrë të hirshme është më mirë se të mos flasësh”, u shpreh Rama./ata