Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në forumin e sigurisë GLOBSEC 2024, që u mbajt në Pragë, Republika Çeke. Gjatë një bisede me temën e zgjedhur nga moderatori Steve Clemons, “Rajoni nën rrethim: Brishtësia e Ballkanit Perëndimor”, Rama foli edhe mbi sulmin kibernetik nga Irani, me të cilin u përball Shqipëria.

Rama tha se mediet sociale duhen konsideruar si një problem i mirëfilltë, që po dëmtojnë shëndetin mendor të fëmijëve.

“Së pari, përpara se sa shkojmë tek pika ku ngremë pyetjen se çfarë duhet të ndodhë që ta konsiderojmë luftën kibernetike një luftë të mirëfilltë dhe të kundërsulmojmë, sipas një kuadri rregullash që e trajtojnë si duhet, na duhet të ngremë pyetjen: Çfarë shkeljesh të shëndetit mendor, por edhe fizik, duhet të ndodhin te fëmijët tanë, për ta konsideruar median sociale një problem të mirëfilltë? I kthehem kësaj, sepse mendoj që i shërben thelbit të përgjigjes. Jemi ende mjaft larg nga trajtimi si duhet i botës digjitale në tërësi, që ndërkohë vazhdon të ndodhë, të rritet e të fitojë terren në shumë hapësira në botën reale, duke sjellë mjaft të mira, por edhe mjaft kërcënime, e bashkë me kërcënimet edhe mjaft pasoja”, theksoi Rama.

“Është pjesë e saj, por të vazhdojmë ta konsiderojmë lirinë e shtrirjes, liri fjale dhe sërish të mos reagojmë ndaj të gjitha këtyre çmendurive që ndodhin për fëmijët tanë, te bashkësitë, komunitetet tona, tek opinionet tona publike, përmes këtij vëllimi të pabesueshëm informimi e dezinformimi e gjithçka është absolutisht e papërgjegjshme”, theksoi Rama, gjatë fjalës së tij./ata