Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në forumin e sigurisë GLOBSEC 2024, që po zhvillohet në Pragë.

Gjatë një bisede me temën e zgjedhur nga moderatori Steve Clemons, “Rajoni nën rrethim: Brishtësia e Ballkanit Perëndimor”, që u mbajt në Republikën Çeke, Rama foli për rëndësinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, por edhe në NATO.

Rama tha se Kosova, Bosnja dhe Serbia duhet të integrohen në NATO.

“Aty ku Rusia është e pranishme dhe është shumë influente, dhe që mund të jetë vërtetë një problem, është në pjesë të tjera të Ballkanit dhe kjo është arsyeja pse kemi nevojë që Serbia dhe Kosova të dalin nga konflikti, ndaj na duhet që ta mbajmë Serbinë në anën tonë sa më shumë të jetë e mundur dhe kjo është arsyeja, siç e përmendët ju në një nga pyetjet tuaja, që është e rëndësishme që sa më shumë ta lidhim integrimin europian me integrimin në NATO dhe sa më shumë NATO të jetë e pranishme në sa më shumë vende në Ballkanin Perëndimor, do të ishte shumë më mirë”, tha Rama.

“Unë kam qenë nga të parët që kam promovuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Në atë kohë shumë vende thoshin: Jo, se ka ndikim rus. Dhe në fakt rezultoi që të ishte mjaft dobiprurëse. Tashmë kemi Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi në NATO, çka është mjaft më mirë sesa po të kishim vetëm Shqipërinë në Ballkanin Perëndimor. Në qoftë se kemi pastaj dhe Kosovën, Bosnjën dhe Serbinë në NATO, kjo do të bëjë një dallim shumë të madh”, shtoi kreu i qeverisë./ata