Spitali i ri ditor, pjesë e fazës së dytë të zbatimit të masterplanit për modernizimin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, do tu ofrojë shërbim të specializuar rreth 65 mijë pacientëve, që kanë nevojë për shërbime si dializë, toksikologji, alergologji, dermatologji, reumatologji dhe hematologji.
Këta pacientë do të mund të marrin shërbim shëndetësor pa nevojën e hospitalizimit mbi 24 orë.
Ky spital kombinon tre shërbime kryesore, hemodializën, dializën peritoneale dhe transplantin renal, duke siguruar qasje të lehtë, efikase dhe duke reduktuar kohën e pritjes për pacientët.
Mjekja nefrologe, Vilma Çadri shprehet se spitali ditor është një strukturë e re dhe përbën një inovacion në aspektin e ofrimit të shërbimit shëndetësor .
“Është e rëndësishme se si me spitalin e ri ofrohet shërbimi për pacientin. Shërbimi ambulator është lokalizuar në katin e pare, çka e bën komode për pacientin duke pasur parasysh komplikacionet. Po ashtu ofrohen kushte optimale për sigurimin e shërbimit të dializës. Hapësira e bollshme ofron edhe mundësinë e menaxhimit të pacientëve, pasi janë dy hapësira në të cilat është organziuar shërbimi i dializës”, theksoi mjekja.
Njëkohësisht, vuri në dukje ajo, pacienti do të jetë i vëzhguar nga infermierët e mjekët, ndërsa kanë mundësinë e lajmërimit përmes butonit për çdo shqetësim apo kërkesë që do të ketë.
“Një tjetër risi në shërbimin e nefrologjisë është edhe Departmaneti i Mikrokirurgjisë që oforn shumë nga mikrokirurgjtë”, u shpreh mjekja Çadri./ata