Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot një program historik investimin në arsimin profesional.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama theksoi sot se përmes Aktit Normativ të Qeverisë, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, siguroi fondin e investimit për 10 Shkolla Profesionale dhe 2 Qendra të Formimit Profesional.

“Ndërhyrjet do të sigurojnë kushte dhe standarde të larta për nxënësit e mësuesit e arsimit profesional”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se falë këtyre investimeve, më shumë se 5000 nxënës do të kenë mundësi të përfitojnë nga infrastruktura e përmirësuar, laboratorët e pajisur me teknologjinë më të fundit dhe hapësirat e reja të dedikuara për zhvillimin e aftësive profesionale.

Shkollat profesionale që përfitojnë janë Qendra e Formimit Profesional Nr.1, Tiranë; Qendra e Formimit Profesional, Durrës; shkolla profesionale “Bajram Curri”, Kukës; shkolla profesionale “Petro Sota”, Fier; shkolla profesionale “Isuf Gjata” dhe “Irakli Terova”, Korçë; shkolla e mesme teknike, Korçë; shkolla e mesme e përgjithshme profesionale “Hamdi Bushati”, Shkodër; shkolla e mesme e përgjithshme profesionale “Arben Broci” Shkodër; shkolla e mesme e përgjithshme profesionale “Kolë Margjini”, Shkodër; shkolla e mesme profesionale “Pavarësia” dhe Shkolla Tregtare, Vlorë; shkolla e mesme profesionale “Enver Qiraxhi”, Pogradec; shkolla e mesme profesionale “Kolin Gjoka”, Lezhë./ata