Këshilltari për Çështjet Ekonomike dhe njëkohësisht nënkryetari i Këshillit Bashkiak në Partinë Demokratike, Dorjan Teliti deklaroi sot se, rishikimi i buxhetit 2024 nuk sjell asnjë përmirësim për nevojat shqiptarëve.

Teliti tha se rishikimi nuk vjen në mbështetje të biznesit te vogël e të mesëm, sipërmarrjes dhe prodhuesve? “Zero paketa mbështetëse, asnjë lehtësim tatimor”, tha ai në një deklaratë për mediet.

“A vjen ky buxhet në ndihmë të pensionistëve dhe shtresave në nevojë? Jo, mundohen të gënjejnë shqiptarët me gjysma gjeli në fund vit dhe me gjoja indeksime pensionesh, duke refuzuar vendosjen e minimumit jetik, propozim të cilin PD e ka dorëzuar në Kuvend që prej qershorit”, u shpreh Teliti.

Për më tepër, shtoi ai, “kanë vendosur që të ulin me 1.2 milionë euro fondin vjetor për ndihmën ekonomike dhe paaftësinë”.

Sipas tij, “këto ndryshime në buxhet i duheshin forcimit të mëtejshëm të shtetit policor, sidomos në këtë periudhë parazgjedhore, ku qeveria do rrisë me plot 500 numrin e efektivëve në terren”.

Teliti gjithashtu nënvizoi se, “në një akt tërësisht në shkelje në normave të shëndosha të menaxhimit financiar, qeveria i ka hapur rrugën tenderimeve të vitit të ardhshëm që ato të fillojnë procedurat që në shtator të këtij viti, ndonëse buxheti i vitit 2025 do vijë për diskutim në Kuvendin e Shqipërisë në nëntor të vitit koherent”.

Ai u shpreh se, me çdo mjet demokratik, Partia Demokratike i fton qytetarët të reagojnë kundër abuzuesve dhe çdokujt që e trajton buxhetin e shtetit si pronë private, jo si një instrument për të përmirësuar jetesën e çdo shqiptari./ata