Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Shqipëria nuk mund t’i thoshte dot jo Italisë për marrëveshjen e migracionit për shkak të gjithë historisë mes dy vendeve, por edhe për të ruajtur vlerat evropiane.
Në panelin e diskutimit me Kryeministren e Danimarkës Mette Frederiksen dhe Presidentin e Finlandës, Alexander Stubb, moderuar nga gazetari i njohur i Ali Aslan E ardhmja e Evropës. Çfarë na pret?” mbajtur në GLOBSEC 2024 në Pragë, Rama u pyet për marrëveshjen e migracionit me Italinë.
Rama u shpreh se, “motivi i marrëveshjes së pari ka qenë sepse nuk i themi dot jo Italisë”
“Nuk i themi dot jo Italisë në asnjëlloj mënyre për shkak të historisë, për shkak të miqësisë, për shkak të shumë gjërave dhe për shkak të faktit sesa shumë ka qenë e pranishme për ne Italia kur kemi qenë në situata shumë të këqija pas ndryshimit të regjimit”, tha Rama.
Së dyti, shtoi Rama, “siç e thashë më parë dhe të gjithë ju ratë dakord, jemi të gjithë evropianë dhe duhet të sillemi si evropianë edhe pse po na vonojnë lejen për të qenë pjesë e kësaj familjeje të përbashkët evropiane. Ky është një problem për të gjithë Evropën”.
“Mette solli një shembull që është saktësisht çfarë ndodhi në tryezën e Komunitetit të ri Politik Evropian. Ajo e ngriti këtë pyetje dhe përgjigja nga disa kolegë ishte jo. Në fakt vendi i njërit prej kolegëve po bëhet famëkeq saktësisht për këtë gjë, për zonat ku ti nuk mund të ecësh. Famëkeq. Por përgjigja sidoqoftë erdhi jo e bazuar në fakte, por e mbështetur në një lloj këndvështrimi politik”, tha Rama.
Kreu i qeverisë, u shpreh se, “ideologjizimi i kësaj çështjeje, paraqitja e kësaj çështjeje si e djathtë ose e majtë, ngritja e kësaj çështjeje në fushata zgjedhore dhe ndarja e përçarja e shoqërisë për diçka që është racionale e ka çuar problemin e migracionit në nivelin e luftës kulturore dhe ky është dëmi më i madh që i është bërë vlerave evropiane, parimeve evropiane dhe gjithë mënyrës të të kuptuarit se ç’janë myslimanët. Unë jam katolik, bashkëshortja ime është myslimane, kemi dy fëmijë që janë ortodoks nga sipërmarrje të përbashkëta të mëparshme dhe më i vogli mund të vendosë të jetë budist nuk e di, nuk kemi asnjë problem me këtë. Shqipëria ka qenë vendi i vetëm në Evropë që kishte më shumë hebrenj pas luftës sesa para saj. Dhe nuk ka asnjë hebre të regjistruar në Yad Vashem që të jetë dëbuar nga vendi në kampet e përqendrimit. Janë dy emra që janë depërtuar në kamp dhe nuk ishin hebrenj, por ishin shqiptarë, sepse familja që fshihte dy hebrenjtë, vendosi të dorëzonte dy djemtë e vetë dhe të shpëtonte hebrenjtë. Ne jemi besnik pra, do t’i mbrojmë deri në fund”.
Kjo, theksoi Rama, “do të thotë që në një vend me shumicë myslimane dhe asokohe ishte dhe më e madhe hebrenjtë u shpëtuan nga familja myslimane. Kështu që çfarë është kjo luftë kulturore? Po vijnë myslimanët. Myslimanët nuk mund të integrohen. Në fakt kjo nuk ka të bëjë me myslimanet, nuk ka të bëjë me kulturën, ka të bëjë saktësisht me atë çfarë tha Mette, me konceptin shumë të thjeshtë të territorit të qeverisur nga njerëzit e zgjedhur në këtë territor, i cili duhet të garantojë se kush janë ata që hyjnë dhe kush janë ata që duhet të dalin”.
“Por kjo gjëja që unë vij, ju vini, dhe të gjithë vinë është njësoj si të luash lojën e shumë forcave të tjera, por jo të bësh atë çfarë është e nevojshme për Evropën”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi se, “është edhe aspekti tjetër i historisë që unë tashmë e besoj që Evropa nuk mund të përballet me këtë valë nëse politikisht nuk do të bëjë diçka madhore për t’u bërë edhe më e bashkuar në unionin e vet, sepse kjo s’ka të bëjë me Danimarkën me Gjermaninë apo me Italinë. Kjo ka të bëjë me të gjithë territorin evropian. Evropa nuk është më e re, është më e vjetra në glob. Nuk është më aq e pasur sa ka qenë. Ka pjesë të rajoneve të Evropës ku PBB-ja po ulet. Evropianët nuk janë të prirur të bëjnë shumë fëmijë, ndërkohë që të tjerët e bëjnë. Duhet krahu i punës. Kështu që qartësisht Evropa ka nevojë për më shumë emigrantë sa çka sot, por në mënyrë të rregulltë”.
“Vetëm mendoni këtë Tik-Tok në Kinë është i shndritshëm, shkëlqen, gjithkush që hyn atje duket sikur jeton në parajsë. Ndërsa Tik-Tok në Evropë është një ferr. Evropa po mbirregullon gjithçka, po mbi derregullon, apo liberalizon median, lirinë e fjalës dhe unë kam shumë shumë frikë që Evropa do të përfundojë në një pozitë të tmerrshme, nëse nuk do të vendosë të jetë një dhe të flasë me një zë të vetëm. Sepse ne mund dhe duhet ta fitojmë luftën në Ukrainë, por si e fiton luftën kur njëra palë është angazhuar plotësisht, ndërsa palës tjetër i thuhet “ja po të japim avionin, por duhet të fluturosh deri tek ajo pjesa aty”. Ndërkohë që të tjerëve i japim këtë pushkën por “duhet të qëlloni vetëm në këtë drejtim”. Të japim këtë e atë. Pastaj u thuhet ndërkohë duhet të luftoni dhe korrupsionin”, tha Rama./ata