Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka folur për gazetarët pas vendimit për të rrëzuar kërkesën e grupimit të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj për të regjistruar Partinë Demokratike në zgjedhje.
Celibashi u shpreh se e kupton shumë mirë faktin se partia më e madhe e opozitës duhet të marrë pjeës në zgjedhje, por jo në kurriz të shkeljes së dispozitave ligjore.
“Nuk e di se çfarë ka ndodhur më përpara dhe sa e kanë shkelur syrin të tjerët që kanë qenë në këtë detyrë. Ky rast nuk lë vend për interpretim. Qëndron edhe ajo që ju thatë që ka pasur të gjithë vullnetin dhe e kam kuptuar shumë mirë rëndësinë e kësaj çështje.
E kuptoj shumë mirë faktin që partia më e madhe e opozitës duhet të marrë pjesë në zgjedhje, por jo me çdo çmim sidomos në kurriz të shkeljes së ligjit. Që të kuptoni sa e rëndësishme është kjo po jap një të dhënë. Të gjithë kryetarët e partive politike që janë regjistruar deri tani, deklarata është nënshkruar nga kryetari i partisë, edhe në ato raste kur kryetari ka autorizuar persona të tretë për të paraqitur dokumentacionin për regjistrim.
Ky dokument mund të nënshkruhet edhe nga një person i autorizuar. Zgjedhja ime si komisioner ka ardhur si rezultat i dakordësisë i partisë që qeveris, opozitës, pra PD dhe LSI në atë kohë. Nëse nuk do ishte ky konsesus nuk do kisha ardhur në këtë detyrë”, deklaroi Celibashi.