Përfaqësuesi i Lartë, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell deklaroi sot se Shqipëria është një prej vendeve të linjëzuara plotësisht me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.
Në një konferencë për shtyp mbi miratimin e Paketës së Zgjerimit të BE-së, Borrell tha se, “në vitin 2019 ishin pesë vende kandidate për anëtarësim, kurse sot janë nëntë vende kandidate dhe një kandidat potencial, që i bën 10 gjithsej”.
“Kjo tregon që Bashkimi Evropian vepron si një magnet, që tërheq popujt dhe vendet fqinje, që tërheq popuj dhe shtete. E ndërkohë që integrimi evropian avancon, qytetarët e vendeve kandidate gëzojnë tashmë përfitime të prekshme, pa qenë nevoja që të presin deri në fund, që të kenë gjithçka. Ky është një proces dhe përgjatë këtij procesi, përfitimet janë të prekshme dhe njerëzit i shikojnë këto përfitime çdo ditë”, tha ai.
Kjo, shtoi Borrell, “përfshin edhe aksesin në programin Erasmus + dhe në programe të tjera kërkimore dhe kulturore. Në 2024, asnjë qytetari të vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk i është nevojitur një vizë për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian”.
Ndërkohë, vijoi ai, “ne kemi prezantuar Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Moldavinë dhe Ukrainën, në qendër të të cilit është sundimi i ligjit”.
“Ne tani gjithashtu duhet të shikojmë marrëdhënie më të forta sa i takon politikës së jashtme dhe të sigurisë, duke këmbëngulur në prioritetet tona kryesore dhe duke qëndruar fort në mbrojtje të vlerave tona për garantimin e stabilitetit rajonal dhe paqes në BE, sepse Bashkimi Evropian nuk duhet vetëm të zgjerohet, por duhet të bëhet edhe më i fortë”, tha Borrell.
“Ne duam t’i përfshijmë fqinjët tanë dhe të bëhemi më të fuqishëm së bashku. Dhe thjesht është e pamundur të ruash marrëdhëniet me Rusinë, apo të përpiqesh të bësh biznes si zakonisht, ndërkohë të presësh që vendi yt do të bëhet pjesë e BE-së. Ose njëra, ose tjetra”, shtoi Borrell.
“Përgjatë viteve, keni parë që linjëzimi me politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë të përbashkët është treguesi më i rëndësishëm që një vend kandidat vërtet ndan vlerat tona dhe orientim të përbashkët politik. Disa prej partnerëve tanë janë linjëzuar plotësisht me politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë. Mund të përmend Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnjën dhe Hercegovinën, si dhe Kosovën që po linjëzohet me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së në mënyrë vullnetare”, tha më tej Borrell./ata