Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, gjatë punimeve të Forumit Strategjik të Bledit, se “duhet të jemi plotësisht krah Ukrainës dhe t’i japim çdo gjë për të cilën kanë nevojë tani, në vend që t’u japim çdo herë diçka më shumë pasi kanë pësuar një dëm të madh”.

Në fjalën e mbajtur në panelin e kryeministrave, Rama u ndal te rëndësia që ka politika në jetën e çdokujt, ndërsa solli si shembull luftën në Ukrainë.

Rama theksoi se sot të rinjtë kanë shumë më pak besim te politika e bëjnë një gabim të madh.

“Kur mendon se politika nuk është diçka me të cilën duhet të merresh, se është e pisët, e keqe, humbet qëllimin, humbet argumentin. Nuk i shpëton dot politikës, të ndjek nga pas gjithmonë. Ke dy alternativa: Ose je aty në errësirë të ngresh dorën të marrësh mesazhin e të duartrokasësh dhe më pas vuan vendimet që merr politika, ose del në skenë e angazhohesh me politikën”, tha Rama.

Sipas tij, “një prej dëmeve më të mëdha është të diskretitosh politikën ditë pas ditësh”.

“Të thuash politikanët janë njësoj hajdutë, hipokritë, dembelë dhe të krijosh idenë se ka një jetë më të mirë në një hapësirë jashtë politikës. Nëse hapësira brenda politikës nuk do të bëhet më e mirë, hapësira jashtë saj do të bëhet shumë më e vështirë”, tha Rama.

“Për t’ju dhënë një ilustrim. Shihni çfarë bën politika kur nuk është në pozitën e duhur. Çfarë bën në Ukrainë. ‘Ne duhet të fitojmë, Ukraina mund të fitojë, fitorja është e vetmja alternativë…’ Pastaj? Pastaj, mund t’ju japim këtë armë, por mund ta përdorni vetëm në këtë drejtim dhe vetëm për kaq metra. Do t’ju japim këto lloj plumbash, por mund t’i përdorni vetëm për këtë qëllim. Do t’ju japim vetëm këtë lloj rakete dhe duhet ta hidhni, por nuk duhet ta hidhni këtej. Është njësoj si të hysh në një fushë futbolli, të duhet të luash me një skuadër shumë të fortë dhe i jep skuadrës tënde një atlete, tjetra këmbë është pa këpucë”, tha Rama.

“Ose, jemi plotësisht krah tyre dhe ju japim çdo gjë për të cilën kanë nevojë dhe jua japim tani në vend që t’u japim çdo herë diçka më shumë pasi kanë pësuar një dëm të madh, ose do të gjejmë rrugën për t’i bërë gjërat bashkë. Por bërja e gjërave në të njëjtën kohë praktikisht po sjell po kaq dëm, sa dhënia e mundësive dikujt tjetër”, shtoi ai.

Kryeministri theksoi se “kjo skizofreni midis vlerave dhe parimeve, sjelljeve politike bazuar në shumë arsye të tjera, duhet të marrë fund nëse duam që Ukraina të fitojë”.

“Në të kundërt do të vijë koha që të shkruhet në libra dhe e vërteta do të jetë shumë më e  hidhur sesa ajo kur je në një dhomë ekologjike dhe pretendon fitoren”, shtoi ai./ata