Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës u bëri thirrje pasagjerëve të jenë në aeroport të paktën 3 orë para orarit së fluturimit.
Kjo, sipas TIA-s, për shkak të fluksit të lartë të pasagjerëve këtë sezon veror.
“Për të shmangur nxitimin e minutave të fundit dhe për t’u siguruar që keni kohë të mjaftueshme për check-in dhe kontrollin e sigurisë, ju rekomandojmë të mbërrini në aeroport të paktën 3 (tre) orë përpara orarit tuaj të fluturimit”, thuhet në një postim në rrjetet sociale të TIA-s.
TIA po ashtu u kërkon pasagjerëve të printojnë boarding pass. “Kjo do t’ju kursejë kohë dhe do të sigurojë një proces të qetë përmes pikave të kontrollit të aeroportit. Përndryshe do duhet të prisni hapjen e sportelit të check-in, për t’u pajisur me boarding pass”, këshillon TIA.
Për pasagjerët me bagazhe, TIA këshillon pasagjerët të informohen te sporteli i check-in, i cili zakonisht hapet 2 orë e 30 minuta para nisjes. Njëkohësisht TIA u kërkon pasagjerëve të qëndrojnë të përditësuar me çdo njoftim që ju vjen nga linja ajrore në lidhje me fluturimin tuaj.
Aeroporti “Nënë Tereza” kryeson me rritjen më të lartë të numrit të pasagjerëve në klasifikimin për Europën.
Vetëm në muajin korrik të këtij viti nga Aeroporti “Nënë Tereza” hynë 1.191.182 pasagjerë, ndërsa në korrik të 2023 hynë 834.113 pasagjerë.
Në periudhën janar-korrik kanë hyrë 5.982 .066 pasagjerë, ndërsa në janar-korrik 2023 kanë hyrë 3.723.613 pasagjerë, pra shtatëmujori i 2024 ka shënuar 1.113.908 hyrje më shumë./ata