Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, nisi sot vizitën shtetërore në Letoni.
Riga ishte ndalesa e parë në Republikat Baltike. Kjo është dhe vizita e parë shtetërore e një Presidenti të Shqipërisë që ndërmerret në tre vendet baltike: Letoni, Estoni dhe Lituani.
Në pritjen e organizuar për nder të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, merrnin pjesë Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, Kryetarja e Parlamentit, Daiga Mieria, Kryeministrja Evika Siliņa, si dhe përfaqësues të tjerë të shtetit dhe qeverisë letoneze.
Presidenti i Republikës zhvilloi fillimisht një takim kokë më kokë me homologun e tij Rinkēvičs, të cilin e falënderoi për pritjen, duke e cilësuar si një moment për të forcuar dialogun politik të shkëlqyer mes dy vendeve mike që ndajnë qëndrime të përbashkëta për çështjet rajonale dhe globale.
Presidenti Begaj shprehu përkushtimin e Shqipërisë për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare.
Për sa i përket marrëdhënieve ekonomike, presidentët e dy shteteve biseduan për rritjen dhe zgjerimin e tyre, duke përfshirë investimet direkte, turizmin, shkëmbimet tregtare, arsimin dhe kërkimin shkencor.
Në këtë aspekt, u propozua vendosja e një linje ajrore direkte të përhershme, e cila do të sjellë afrimin mes dy vendeve, rritjen e fluksit të shkëmbimeve dhe të turizmit.
Ndërsa vlerësoi mbështetjen e Letonisë përgjatë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, Presidenti i Republikës u shpreh se, me përparimin e jashtëzakonshëm në përafrimin me standardet e BE-së, Shqipëria shpreson për një rrugë të qartë dhe të shpejtë drejt anëtarësimit të plotë në union.
Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor u konsiderua në takim si një rrugëzgjidhje përballë influencave të palëve të treta të shtuara me agresionin rus në Ukrainë dhe si një mundësi për të nxitur stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.
Presidenti Begaj shprehu mirënjohje ndaj Letonisë për kontributin në rajon, duke theksuar praninë e trupave në kuadër të KFOR-it dhe mbështetjen ndaj Kosovës për integrimin euroatlantik.
Në takim u bisedua për sfidat e reja me të cilat Shqipëria dhe Letonia përballen si aleate në NATO dhe në këtë aspekt u theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. “Shqipëria, – u shpreh Presidenti Begaj, – mbetet në solidaritet me Letoninë me trupat e saj në batalionin shumëkombësh të NATO-s në Adazi.
Biseda kokë më kokë mes presidentëve Begaj dhe Rinkēvičs u pasua nga takimi i zgjeruar me pjesëmarrjen e delegacioneve përkatëse dhe më pas krerët e dy shteteve zhvilluan konferencën e përbashkët për mediet./ata