Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo citoi sot një monitorim të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për vitin 2023, që siç u shpreh ajo vë në dukje se pjesa dërrmuese e ujërave të plazheve shqiptare janë përkeqësuar në krahasim me vitet pararendëse.
Në një deklaratë për media, Garo u shpreh se, “kjo do të thotë më shumë ujëra të ndotura, më shumë rrezik infeksionesh, dhe rënie të cilësisë së jetës për shqiptarë dhe të huaj”.
“Sipas raportit monitorues, numri i stacioneve të kategorisë A – cilësisë shumë të mire të ujrave, për plazhet e monitoruara për vitin 2023 është më i ulët në krahasim me 7 vitet pararendëse nga 2016-a deri në 2022. Ndërkohë ka ardhur në rritje numri i stacioneve të kategorisë D – cilësisë së keqe të ujërave për të gjithë këtë periudhë”, tha Garo.
Garo u shpreh se, raporti thekson se faktori kryesor i ndotjes së ujërave bregdetarë mbeten shkarkimet e ujërave të zeza të patrajtuara në mënyrë direkte dhe indirekte.
Garo theksoi se, Partia Demokratike e ka denoncuar në vijimësi ndotjen e ujërave, derdhjen në detra, lumenj dhe liqene të ujërave të zeza.
“Ne kemi dënuar gjithashtu një vendim të qeverisë për të detyruar hotelet dhe resortet në bregdet për të blerë impiante të ujërave të zeza me kosto mbi 30 mijë euro. Kjo edhe pse ata kanë një kontratë me UKT, i cili është enti publik që duhet të bëjë riciklimin, kanalizimin apo adresimin e ujërave të zeza të tyre”, tha ajo./ata