Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim presidentin e Agjencisë të Industrisë së Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, Haluk Gorgun.

Fillimisht, kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, veçanërisht sa i përket ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Përmes, një komunikate për media bëhet e ditur se Kurti ka thënë se Republika e Kosovës do të vazhdojë blerjen e pajisjeve ushtarake nga Turqia, e cila mbetet një prej partnerëve kryesorë të Kosovës.

Në takim gjithashtu u diskutua rreth mundësive të bashkëpunimit në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, përkatësisht atë të prodhimit të municionit, dhe për kushtet që Kosova ofron për investitorë potencialë nga Turqia.

Më herët edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci priti sot në takim presidentin e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Haluk Gorgun, ku diskutuan për bashkëpunimin e ngushtë në fushën e mbrojtjes në mes dy vendeve.

/KosovaPress/