Turistëve vendas e të huaj u është ofruar shërbim prej 1 qershorit në 34 qendra shëndetësore verore, të shpërndara gjeografikisht në të gjithë zonat kyçe të frekuentuara nga turistët, nga Thethi e Korabi, deri në Ksamil.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri të ditur sot se nga data 1 qershor deri më 1 shtator, 70 187 pushues kanë marrë shërbime mjekësore, në qendrat shëndetësore verore, ku 32 % janë pushues të huaj.
“Muaji gusht u përmbyll me arritje të rëndësishme për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Së bashku me Kryeministrin, inauguruam Spitalin e ri Ditor në QSUT, një strukturë moderne që do të ofrojë shërbime të specializuara për rreth 65 000 pacientë në vit. Gjithashtu, nga data 1 qershor deri më 1 shtator, 70 187 pushues kanë marrë shërbime mjekësore në 34 qendrat shëndetësore verore në të gjithë vendin, ku 32 % janë pushues të huaj”, u shpreh ministrja Koçiu në një postim në rrjetet sociale.
Qendrat shëndetësore verore do të qëndrojnë të hapura deri më 30 shtator./ata