Bashkimi i tregjeve energjetike Shqiqëri – Kosovë ka rritur volumet e tregtuara në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike, ALPEX. Sipas të dhënave të përpunuara nga TV SCAN për periudhën janar – gusht 2024 në total përmes këtij instrumenti janë tregtuar rreth 1 mln mWh energji. Gati 56% e kësaj sasie i përket zonës ofertuese të Shqipërisë, ndërsa pjesa tjetër Kosovës, duke treguar volume thuajse të barabartë energjie për 2 vendet. Kjo, pavarësisht faktit se bashkmi i tregjeve u shënua në muajin shkurt, çka do të thotë se të dhënat për Kosovën përfshijnë vetëm periudhën shkurt – gusht, ndërkohë që edhe numri i kompanive të listuara nga shteti fqinj është shumë më i ulët se ai i kompanive nga Shqipëria.

Sa i takon çmimit mesatar, me të cilin është tregtuar energjia, ai varion nga 61,04 euro/mWh që është çmimi më i ulët e që u shënua në muajin prill, deri në 157.98 euro/mWh, që është më i larti e që u shënua në muajin korrik. Çmimi mesatar për periudhën 8 -mujore përllogaritet në 97 euro/mWh.  Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike, ALPEX nisi operimet në datën 11 prill 2023, teksa funksionimi i saj paraqet një sërë avantazhesh, që lidhen me çmimet konkurruese, si dhe ofron një sinjal transparent të çmimeve për investime në energji./Scan