Aktualisht, në shumicën e sektorëve të vendit tonë ka një prani të lartë të monedhave të huaja, kryesisht të euros dhe dollarit amerikan. Po në tregun e sigurimeve, a ka një përdorim më të gjerë të lekut apo euros?

Deri në fund të muajit qershor, primet e shkruara bruto për të gjithë aktivitetin e tregut të sigurimeve Jetë dhe Jo-Jetë rezultojnë në rreth 11.88 miliardë lekë, ku rreth 33.2% e tyre janë realizuar në monedhën Euro. Referuar të dhënave më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, përveç produkteve të detyrueshme të Kartonit Jeshil, i cili është produkt ndërkombëtar sigurimi dhe lëshohet gjithmonë në monedhën Euro, por edhe Sigurimi Kufitar, ka edhe disa produkte vullnetare që rezultojnë me të ardhura pothuajse 100% të realizuara në Euro, siç është Sigurimi i kombinuar i Aksidenteve personale dhe shëndetit, Sigurimi i Jetës në Udhëtim dhe Sigurimi i Jetës së Studentit.

Gjithashtu, produktet që shfaqin një vlerë të primeve të shkruara në përqindje të lartë në Euro janë Sigurimi Kasko, Sigurimi i të Gjitha Risqeve në Ndërtim, Sigurimi i Aksidenteve dhe Shëndetit në aktivitetin e sigurimit Jo-Jetë, Sigurimi i Jetës me Kursim e të tjera. Ndërkohë, produktet si Sigurimi i Mallit në Transport apo Sigurimet e pronës paraqesin një nivel të lartë Euroizimi për shkak të interesit të siguruar nga këto kontrata, interes i cili vlerësohet kryesisht në Euro në rastet e import-eksporteve.

Klasat që kanë shfaqur rritjen më të theksuar të primeve të shkruara në Euro në krahasim me fundin e vitit 2023, janë Sigurimi i Përgjegjësisë Civile me një rritje prej 4.9%, Sigurimet e Garancisë me rritje të peshës me 4.6%, Sigurimet e Pronës me rritje të peshës me 2%, pasuar nga Sigurimet Motorike me rritje të peshës me 0.9%.

Ndërsa, rënie në peshë të primeve të shkruara në Euro kanë Sigurimet e Aksidenteve e Shëndetit me 4.5%, Sigurimet e Mallit në transport me rënie të peshës me 2.9%, Sigurimet e Marinës me rënie të peshës me 2.7% dhe Sigurimet Inxhinierike me një rënie prej 2.6%.

Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare po ndërmerr një sërë masash për të ulur nivelin e përdorimit të monedhave të huaja në ekonomi dhe nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare./Scan