Për gjysmën e parë të këtij viti, investimet financiare të shoqërive të sigurimit kanë konsistuar në bono thesari, obligacione dhe kuota në fonde investimesh në lekë. Rreth 6.4 miliardë është totali i investimeve nga kompanitë e sigurimit, ku ato në valutë kanë pësuar një rënie prej 1%, ndërsa investimet financiare në lekë janë rritur në 4.7 miliardë.

Nga këto, investimi më i lartë ka qenë në obligacione, vlera e të cilit është rritur me thuajse 81 milionë lekë gjatë tremujorit të dytë 2024. Konkretisht, shifra totale e investimit të shoqërive të sigurimit në obligacione është 4.5 miliardë lekë, prej të cilave rreth 3.26 miliardë janë investuar nga shoqëritë e jo-jetës dhe 1.26 miliardë lekë nga shoqëritë e jetës. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, shoqëritë e tregut të sigurimeve kanë investuar dhe në obligacione në euro, në vlerën 16.2 milionë duke pasqyruar një rritje të lehtë krahasuar me fundvitin e 2023-it, shifër e cila ishte vetëm 240 mijë euro.

Nga ana tjetër, bonot e thesarit arritën në 103 milionë lekë, nga të cilat 46 milionë janë investuar nga shoqëritë e jo-jetës dhe 57 milionë lekë nga shoqëritë e jetës. Këto investime nuk kanë pësuar ndryshime gjatë tremujorit të dytë, krahasuar me fundin e vitit 2023.

Për sa i përket kuotave në fonde investimesh, ato kapën shifrën 147.8 milionë lekë, duke pësuar një rritje me 0.5% krahasuar me fundvitin 2023. Gjithashtu, shoqëritë e tregut të sigurimeve kanë investuar dhe në kuota në fonde investimesh në euro, në vlerën 38 milionë euro duke regjistruar një rritje të lehtë vlerësuar me dhjetor 2023.

Në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit, investimet financiare në valutë janë të gjitha në monedhën evropiane dhe përbëjnë rreth 25.9% të totalit të investimeve financiare. Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2024, me gjithë rritjen e investimeve financiare në monedhën evropiane krahasuar me fundin e vitit 2023, vlera e këtyre investimeve ka pësuar rënie me 0.7% si shkak i zhvlerësimit të euros./Scan