32 subjekte të tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve dhe të lëndëve djegëse, pajisjeve nën presion dhe instalimeve elektrike janë gjobitur nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial përgjatë periudhës janar – gusht të këtij viti. Sipas të dhënave të përpunuara nga TV SCAN, vlera totale e masave administrative arrin në 22 mln lekë, ndërkohë që disa prej shkeljeve të konstatuara lidhen me ushtrimin e veprimtarisë jo në përputhje me kërkesat ligjore dhe teknike, mungesë të dokumentacionit të nevojshëm apo refuzim të kontrollit.
Po ashtu, shumë prej subjekteve janë penalizuar, pasi nuk kanë plotësuar në kohë detyrat e lëna nga inspektorët, ndërsa pjesë e penalizimeve me gjobë janë edhe subjektet që tregtojnë karburant jashtë normave të lejuara. Kështu në një rast është konstatuar përmbajtja e squfurit 41.9 mg/kg, teksa norma e lejuar maksimale është 10.0 mg/kg. Në një rast tjetër, në produktin gazoil ka rezultuar me shmangie e standardit të pikës së flakërimit, nga 41.0°C, që është norma minimale e lejuar, në 55°C. Ndërsa nuk mungojnë as rastet e tregtimit të benzinës me shmangie të numrit të oktanit motorrik.
Vlerat e gjobave janë të ndryshme, në varësi të shkeljeve të konstatuara, duke variuar nga 50 mijë, që është më e ulta, në 7 mln lekë që është më e larta. Kjo e fundit është vendosur ndaj një subjekti, që ka kryer tregtimin me shumicë të nënproduktit të naftës pa licencë./Scan