Sportistët shqiptarë dhe jo vetëm, të cilët përfaqësuan me dinjitet Shqipërinë në lojërat Olimpike “Paris 2024”, mes të cilëve, Chermen Valiev dhe Islam Dudaev, dy fitues të medaljeve të para olimpike për vendin tonë, u nderuan në një ceremoni të veçantë nga Kryeministri Edi Rama, në Sallën e Hartave në Kryeministri.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Rama foli edhe për shpërblimet që akordohen për sportistët fitues në kompeticione ndërkombëtare.

“Përveç shpërblimeve për të gjitha rezultatet e nivelit të lartë ndërkombëtar që e përsëris Shqipëria është nga vendet europiane që i ka vërtet dinjitoze, ne i kemi siguruar dhe perspektivën e gjithë sportistëve të këtyre niveleve që nuk kanë nevojë të shqetësohen se çfarë do të ndodhi të nesërmen. Çfarë do të ndodhë kur nuk do të jenë më në arenë, kur do jenë qytetarë të zakonshëm dhe kur do kenë nevojë gjithsesi që të vazhdojnë të mbajnë veten dhe familjen e tyre. Kanë gradat në Forcat e Armatosura dhe pensioni u del sipas atyre gradave dhe faktikisht edhe në pension, kanë shpërblime të barabarta me gjeneralët, me kolonelët, me gradat sipas rezultateve”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se “këto shpërblime nuk janë se u emocionuam dhe se erdhëm për të bërë një shfaqje këtu”.

“Këto janë shpërblime të shkruara në vendimin e qeverisë të vitit 2021, bazohen në ligjin për sportin të vitit 2017, vendimi i 2021-shit ka qenë një përmirësim, me rritje të shpërblimeve, ka pasur shpërblime dhe më parë. Jam shumë krenar të them që asnjë sportist që ka marrë një trofe të niveleve që parashikon ky kuadër ligjor, nuk është lënë pa u shpërblyer”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se të gjithë kanë marrë shpërblimin sipas ligjit dhe sipas vendimit të qeverisë dhe të gjithë do ta marrin.

“Ndërkohë që ne përsëri do të rishikojmë kuadrin për të parë mbështetjen e sportisteve që do të përfshihen në planin e olimpiadës së ardhshme. E them këtë sepse në mënyrë të përsëritur propagandohet e kundërta, ndërkohë që faktet janë këto. Këta sportistë morën atë që iu takonte, që është e shkruar dhe që është aty e shkruar dhe që do të zbatohet për çdo sportist tjetër edhe për këta vetë në qoftë se do të vazhdojnë të përsërisin këto rezultate. Unë kam shumë besim që do t’i përsërisin rezultate. Kështu që do të na duhet të rrisim shumën, se nuk mund t’iu themi lëreni këtë ndeshje se nuk mund t’ju japim dot shpërblimin, po përkundrazi do të garantojmë shpërblimin për çdo sportist”, siguroi Rama.

“Kjo është hapësira ku të gjithë ata që merren me sportet individuale dhe që kanë talentin, kanë ambicien, kanë ëndrrën që të arrijnë majat mund të zhvillohen të mbështetur dhe të bindur që hap pas hapi do të kenë pranë, jo vetëm Komitetin olimpik po edhe qeverinë dhe patjetër, jo vetëm me kaq, por edhe më shumë”, shtoi Rama.

Sipas tij, “çdo axhustim i mbështetjes është dhe rezultat i rritjes që ka ekonomia, i rritjes së të ardhurave që ne kemi në mënyrë të përvitshme”.

“Qëllimi ynë është që vit pas viti ta bëjmë këtë rritje ekonomike, një rritje gjithmonë e më të prekshme për të gjithë dhe patjetër që nga kjo rritje ekonomike, nga kjo rritje të ardhurash, sportistët që na nderojnë botërisht janë ata që meritojnë jo vetëm duartrokitjet, po meritojnë edhe këtë mbështetje financiare në rritje”, shtoi ai./ata