Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka pritur homologun e tij egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi, i cili mbërriti në Ankara për një vizitë zyrtare.
Sisi dhe delegacioni që e shoqëron atë mbërritën me avion në Aeroportin Esenboğa.
Në ceremoninë e pritjes, presidentin Erdoğan e shoqëruan ministri i Jashtëm, Hakan Fidan, guvernatori i Ankarasë, Vasip Şahin dhe zyrtarë të tjerë.
Erdoğan dhe Sisi zhvilluan një takim të shkurtë në aeroport, ndërsa më pas me të njëjtin mjet zyrtar shkuan në Kompleksin Presidencial.
Të dy presidentët pas takimit dypalësh do të marrin pjesë në Mbledhjen e Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë. Më pas liderët do të nënshkruajnë marrëveshje dhe do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.
Erdoğan gjithashtu do të shtrojë darkë zyrtare në nder të presidentit egjiptian./aa