80 fëmijë të Njësisë Administrative Thumanë përgjatë një muaji zhvilluan kurse falas në pikturë, volejboll, futboll, valle, muzikë dhe anglisht. Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi në bashkëpunim me organizatën Save the Children në Shqipëri, Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkinë Krujë kanë organizuar “Kampi Veror për Fëmijë” në njësinë administrative Thumanë. Kjo iniciativë vjen me qëllim përmbushjen e objektivave të Strategjisë Kombëtare të Rinisë dhe projekt pilot për një program kombëtar të aktiviteteve jashtëshkollore me fokus angazhimin e fëmijëve, zbulimin dhe zhvillimin e talenteve. Projekti është në vijim të programit arte dhe zeje që zhvillohet pas shkolle në 200 shkolla tashmë.
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi së bashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu zhvilluan një takim me të fëmijët e kampit veror. Ministrja Muzhaqi në fjalën e saj e vuri theksin tek rëndësia që kanë këto programe për të rinjtë në mënyrë që ti aftësojmë ata në fusha dhe disiplina të ndryshme. Ministrja Muzhaqi mbi të gjitha e vuri theksin tek domosdoshmëria e zhvillimit të këtyre projekteve jashtë kryeqytetit si një mundësi më tepër për fëmijët dhe të rinjtë e këtyre zonave. Muzhaqi tha “Ky kamp veror është një hap i rëndësishëm drejt realizimit të qëllimit tonë për të ofruar mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët, pavarësisht nga vendndodhja e tyre. Përmes aktiviteteve të ndryshme dhe kurseve të specializuara, ne synojmë të zhvillojmë aftësitë dhe talentet e tyre, duke i ndihmuar ata të rriten si individë të përgjegjshëm dhe të integruar në shoqëri.”. Për Ministren Koçiu shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve janë thelbësore për zhvillimin e shoqërisë. Programet si ky kamp veror jo vetëm që promovojnë aktivitetin fizik, mendor dhe zhvillimin e aftësive të reja, por gjithashtu ndihmojnë në krijimin e një mjedisi të shëndetshëm dhe mbështetës për fëmijët.
Kjo iniciativë vjen me qëllim përmbushjen e objektivit specific “Të rejat dhe të rinjtë mbështeten në përfshirjen dhe integrimin e tyre në shoqëri duke pasur mundësi për strehim dhe argëtim (në kulturë, art dhe sport)” të Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029, miratuar nga Qeveria Shqiptare. Po ashtu përmes organizimit të kampit veror në Thumanë synohet realizimi i nivelit të dytë të “Programit Kombëtar për Aktivitetet Jashtë Orarit Mësimor (JOM)”, i cili mundëson kurse të specializuara për nxënësit e ciklit të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë, që do të mundësohen nga ekspertë të fushës në qendra të dedikuara./BalkanWeb