Akti normativ i Këshillit të Ministrave injekton 440 milionë lekë në fazën e parë të projektit për rijetësimin e industrisë ushtarake.
Konkretisht, janë alokuar 290 milionë lekë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të uzinave të industrisë ushtarake ndaj punonjësve, ish-punonjësve, Bashkive dhe enteve të tjera.
150 milionë lekë janë dedikuar për themelimin e shoqërisë tregtare “KAYO Sh.a”, e cila do të udhëheqë procesin e modernizimit të industrisë ushtarake dhe rijetësimin e kapaciteteve prodhuese të Mjekësit, Gramshit dhe Poliçanit.
Rijetësimi i industrisë ushtarake është një mundësi e re për zhvillimin ekonomik dhe social të zonave të përfshira në këto projekte, por edhe shumë i rëndësishëm për integrimin e vendit në hallkat e prodhimit dhe logjistikës ndërkombëtare.
Projekti i qeverisë shqiptare për modernizimin e sektorit, kontribuon gjithashtu në forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare në përputhje me objektivat e Aleancës./BalkanWeb