Ministri turk i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Hakan Fidan, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shkup është takuar me përfaqësuesit e koalicionit VLEN.

Në takimin e ministrit turk me përfaqësuesit e koalicionit VLEN, të pranishëm ishin zv/kryeministri i parë Izet Mexhiti, kryetari i komunës së Tetovës dhe lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, kryetari i Alternativës, Zekirija Ibrahimi, si dhe deputeti nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe.

Zv/kryeministri Mexhiti në rrjetet sociale tha nga ministri Fidan janë “përgëzuar dhe uruar” për angazhimin e tyre në qeveri dhe për “kontributin e dhënë për demokracinë dhe stabilitetin politik në vend”.

“Në këtë takim, diskutuam edhe për marrëdhëniet e ngushta që koalicioni VLEN ka me komunitetin turk në Maqedoninë e Veriut, duke konfirmuar angazhimin tonë për të mbrojtur interesat e këtij komuniteti, pavarësisht pozicionimit politik të partive turke”, shkroi Mexhiti.

Nga ana tjetër, Kasami, kreu i komunës së Tetovës, në një postim në rrjetet sociale takimin me ministrin turk e quajti “miqësor”.

“Me ministrin diskutuam rrjedhat e përgjithshme politike në vend, rolin konstruktiv që e kanë ministrat e VLEN-it në këtë qeveri, si dhe për marrëdhëniet që i ka koalicioni VLEN me komunitetin turk në Maqedoninë e Veriut”, shkroi Kasami.

Shefi i diplomacisë turke sot qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku u prit në takime të ndara nga homologu i tij, Timço Mucunski, si dhe nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryeparlamentari Afrim Gashi.

Më herët, Fidan gjithashtu u takua me anëtarë të komunitetit të biznesit dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare turke në vend./aa