Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, gjatë qëndrimit të tij në Maqedoninë e Veriut ka vizituar edhe Çarshinë e Vjetër të Shkupit.
Gjatë shëtitjes së tij në Çarshinë e Vjetër, ministri Fidan takoi dhe bisedoi me qytetarët lokal, si dhe kaloi edhe në Xhaminë Mustafë Pasha. Ai gjithashtu vizitoi disa organizata joqeveritare që ndodhen brenda çarshisë.
Fidan sot qëndroi për vizitë zyrtare në Shkup, ku u prit në takime të ndara nga homologu i tij, Timço Mucunski, kryeministri Hristijan Mickoski, kryeparlamentari Afrim Gashi, si dhe nga përfaqësuesit e koalicionit VLEN.
Më herët, ai gjithashtu u takua me anëtarë të komunitetit të biznesit dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare turke në vend.
Gjatë ditës së nesërme, ministri turk do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Prishtinë, ku pritet të takohet me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz./