Një aktiviste amerikane është qëlluar për vdekje nga forcat izraelite gjatë një proteste kundër vendbanimeve të paligjshme izraelite në Beita të qytetit Nablus në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Fouad Nafaa, drejtori i Spitalit Rafidia, për Anadolu tha se gruaja, e cila kishte nënshtetësi amerikane, mbërriti në spital me një plagë me armë zjarri në kokë.

"Ne u përpoqëm ta sjellim në vete, por ajo iu nënshtrua plagëve të marra", tha Nafaa.

Dëshmitarët okularë raportuan se ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj një grupi palestinezësh që merrnin pjesë në një demonstratë kundër vendbanimeve të paligjshme në malin Sbeih në Beita, në jug të qytetit Nablus.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve ‘Wafa’ konfirmoi se viktima ishte një shtetase amerikane dhe një vullnetare e fushatës ‘Fazaa’, një iniciativë që synon mbështetjen dhe mbrojtjen e fermerëve palestinezë nga shkeljet e vazhdueshme nga kolonët dhe ushtria izraelite.

Banorët në Beita mbajnë protesta javore pas namazit të xhumasë për të kundërshtuar vendbanimin e paligjshëm izraelit ‘Avitar’, që është krijuar në majën e malit Sbeih. Ata kërkojnë heqjen e vendbanimit të paligjshëm, të cilin ata e shohin si shkelje të të drejtave të tyre mbi tokën.

Tensionet janë përshkallëzuar në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar derisa Izraeli vazhdon sulmet në Rripin e Gazës, ku që nga tetori i vitit të kaluar ka vrarë të paktën 40.900 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Që atëherë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të paktën 691 njerëz janë vrarë dhe mbi 5.700 të tjerë janë plagosur nga zjarri izraelit në Bregun Perëndimor./aa