Ministri i Financave, Petrit Malaj priti sot në një takim ambasadoren e Japonisë në Tiranë, Kato Kikuko.
Gjatë këtij takimi u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Japonisë dhe u diskutua mbi ecurinë e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Ministri Malaj falënderoi ambasadoren Kikuko për mbështetjen e vazhdueshme që Japonia ka dhënë për vendin tonë, në fusha të ndryshme të zhvillimit ekonomik.
“Të dy vendet tona ndajnë një bashkëpunim të frytshëm në fushën ekonomike, duke vlerësuar veçanërisht mbështetjen me grante dhe kredi të buta për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, në sektorë prioritarë”, u shpreh Malaj.
Për Shqipërinë, vijoi ai, e rëndësishme mbetet edhe mbështetja e ofruar nga Japonia për anëtarësimin në BE, në kuadër të nismave për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor, për ecurinë e reformave ekonomike e sociale./ata