Zëdhënësja për Antikorrupsionin në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli deklaroi sot se “shpenzimet për karburant të qeverisë Rama për periudhën 2014-2024 kapin vlerën totale 342 milionë euro”.

Përmes një deklarate për shtyp, Vangjeli iu referua faqes zyrtare për pagesat e kryera nga Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, për shpenzimet për blerje karburanti, të ndara sipas viteve 2014 deri 27 gusht 2024.

Sipas saj, vërehet përdorim jo efektiv i fondeve buxhetore, si dhe mungesë në disiplinimin e shpenzimeve të transportit, administrimin dhe përdorimin e karburantit në vite.

“Mangësitë dhe shkeljet në respektimin e rregullave dhe disiplinën financiare janë praktika në kundërshtim me ligjin ‘Për menaxhimin financiar dhe kontrollin; ligjin ‘Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në RSH’ si dhe Udhëzimit të Ministrisë së Financave sipas viteve ‘Për menaxhimin e aktiveve në sektorin publik’”, tha ajo.

“Të nderuar qytetarë, po e mbyll me një pyetje për ju: çfarë mund të kishte bërë për ju qeveria Rama me 342 milionë euro të shpenzuara vetëm për karburant? Çfarë ju mungon në lagjen, fshatin apo qytetin tuaj?”, shtoi Vangjeli./ata