Ministria e Arsimit dhe Sportit, njofton se, për të siguruar që çdo nxënës të regjistrohet në shkollë përmes platformës e-Albania, rihapen aplikimet për regjistrimin e nxënësve, në klasën e I dhe në klasën e X.

Sipas MAS-së, aplikimi përmes e-Albania do të jetë aktiv nga datat 7 -8 shtator 2024, duke u dhënë mundësinë nxënësve që nuk kanë kryer ende regjistrimin elektronik përmes platformës të regjistrohen në kohë përpara ditës së parë të shkollës.

“Regjistrimi i nxënësve në shkolla jashtë zonës së banimit, përmes e-Albania do të jetë aktiv vetëm në datën 7 shtator 2024, regjistrim i cili do të të mundësohet vetëm në rastet kur shkollat kanë kapacitete të mjaftueshme pritëse, pas miratimit nga ZVAP-të përkatëse mbi bazën e kërkesave të arsyetuara. Shkollat do të kthejnë përgjigje përmes platformës e-Albania brenda datës 8 shtator, ora 12:00”, thuhet në njoftimin për mediet.

“Në rastet e plotësimeve të kapaciteteve pritëse, për regjistrimet jashtë vendbanimit, aplikimi do të vijojë edhe gjatë datës 8 shtator, për të siguruar regjistrimin e çdo nxënësi përmes e-Albania në shkollën përkatëse sipas vendbanimit”, thuhet në njoftimin e MAS-së./ata