Gjimnazi i ri “Shefqet Guzi” në Gramsh, një financim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është gati të presë me kushte bashkëkohore 430 nxënës dhe mësues.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky gjimnaz, i cili hap dyert i rindërtuar në 9 shtator, me nisjen e vitit të ri shkollor.

“Gjimnazi i rindërtuar “Shefqet Guzi” në Gramsh, një tjetër investim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë Gramsh, që do të presë me kushte bashkëkohore 430 nxënës dhe mësues më 9 shtator”, shkruan Rama.

Falë këtij investimi janë transformuar dhe modernizuar tërësisht ambientet e shkollës, duke përfshirë jo vetëm përmirësimin e mjediseve për mësimdhënie, por edhe duke krijuar hapësira të reja për aktivitete sportive.

Përveç shkollës “Shefqet Guzi” në Gramsh, në qarkun e Elbasanit për vitet 2024-2025 janë 5 projekte për rehabilitimin e shkollave të përqendruara në bashkitë Elbasan, Gramsh, Librazhd, Peqin dhe Prrenjas.

Nga investimet në rehabilitimin e këtyre shkollave do të përfitojnë 2500 nxënës. Po ashtu, në kuadër të programit për rritjen e aftësive digjitale të nxënësve, qarkut të Elbasanit do t’i shtohen 14 laboratorë SMART./ata